Për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha edhe largimi i Damian Gjiknuri si Sekretar i Përgjithshëm lidhet me aferën e inceneratorëve. Në një dalje jo të zakontë për mediat, pak pas përfundimit të Asamblesë së PS-së, kryedemokrati theksoi se dosja e inceneratorëve vazhdon të djegë bashkëpunëtorët më të afërt të Edi Ramës.

“Dosja po shpërbën tërësisht këtë mazhorancë mafioze, këtë kupolë mafioze se nuk është mazhorancë. Edi Rama është i gatshëm që të shesë secilin prej tyre për të shpëtuar lëkurën e tij. Por vetë është i pashpresë”

Por sipas tij, ndaj Gjiknurit nuk rëndon vetëm akuza për inceneratorët.

“Gjiknuri është një kufomë politike e pakallur me dy hetime të tmerrshme, një kombëtar dhe një ndërkombëtar. Është në hetim kombëtar për aferën e inceneratorëve, por në një vepër penale, bashkautor me Edi Ramën, Gjiknuri është në hetim ndërkombëtar për aferën McGonigal, dhe Edi Rama kujton se do e kalojë Lanën duke hedhur Gjiknurin. Jo, do bjerë vetë.”

Zhvillimi ndoshta për herë të parë i gjithë punimeve të Asamblesë me dyer të mbyllura sipas Berishës tregon qartë panikun në të cilin ndodhet mazhoranca.

“Dyert e mbyllura janë aktakuzë në vetvete. Pra, janë dëshmi e fajësisë të kupolës së plehrave Rama-Agaçi-Veliaj-Gjiknuri, shumë të tjerë, Balluku është e implikuar.”

Ndaj, ai theksoi se zgjidhja e vetme për t’i dhënë fund kësaj situate është në duart e shqiptarëve të cilët duhet të ngrihen dhe t’i japin përgjigjen e merituar të asaj që ai e konsideroi si mafie më të rrezikshme.

Tv Klan