Shqipërinë e tij madhështore Sali Berisha e mbështet në një ekonomi të fortë, të cilën thotë se e bazon në ulje taksash, deri edhe zerim të tyre, lehtësi fiskale për biznesin vendas e të huaj, punësim e prodhim vendas. Ndaj hapin e parë e nis nga krijimi i 4 zonave të lira ekonomike.
“Në 4 qarqe kryesore të vendit do të ofrohen të gjitha lehtësirat, me kushtin e vetëm që nuk do të pranohet asnjë qindarkë nga kontot ofshore”, tha Berisha.
Profesionet e lira dhe biznesi i vogël janë përfitues të paketës fiskale si dhe masave që parashikon në programin e tij ekonomik qeverisës.
“Zero taksim mbi profesionet e lira dhe biznesin e vogël, në masën 18 milionë lekë xhiro vjetore”, tha Berisha.
Një tjetër masë që thotë se do nënshkruajë sapo të marrë detyrën e kryeministrit do të ndikojë në uljen e çmimit të karburantit.
“Bie taksa ‘Rama’ e karburantit dhe karburantet nuk do të shiten në Shqipëri me një çmim që ndryshon +-10% nga ai i Kosovës dhe Maqedonisë”, tha Berisha.
Për fermerët nuk do ketë vetëm subvencione për njësi prodhimi apo krerë bagëtie.
“ID do jetë NIPT-i i fermerit”, tha Berisha.
Ulje të ndjeshme parashikon edhe për taksën e pronës.
“Ulje nga 15 në 2% të taksës së shitjes së pronës”, tha Berisha.
Për të shmangur goditjet ndaj sipërmarrjes si pasojë e luhatjes së euros parashikon një tjetër ndërhyrje.
“Do ngrihet menjëherë bordi pasi narkoeuro është shndërruar në një shpatë demokleu për ta”, tha Berisha.
Berisha paralajmëron rishikim të sistemit të gjobave ndaj biznesit dhe një ligj të ri për investimet strategjike.
“Siç është nuk do ekzistojë. Merr fund javën e parë të qeverisë PS”, tha Berisha.
Thotë se paratë gjenden në buxhetin e shtetit dhe garanton stabilitet ekonomik për çdo operacion fiskal e ligjor që do të ndërmarrë.
Tv Klan