Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një bashkëbisedim me shoqatat e turizmit në vend, nga ku foli për ndryshimet që ai ka ndërmend të bëjë për këtë sektor nëse vjen në qeverisje pas zgjedhjeve të 11 Majit.
Berisha u premtoi shoqatave se do bëhet një marrëveshje, ku qeveria do paguajë një pjesë të pagave të punonjësve të industrisë turistike përgjatë kohës së jashtë sezonit. Kryedemokrati tha se një gjë e tillë do ndërmerrej përsipër nga Partia Demokratike, pasi këta punonjës pas përfundimit të sezonit turistik, u duhet t’ja nisin sërish nga fillimi, e kjo nuk duhet ndodhur.
“Do bëjmë gjithçka për formalizimin e turizmit, për kushte të barabarta. Ne së bashku me këto shoqata, do arrijmë një marrëveshje, ku shteti do marrë përsipër një pjesë të pagave të punonjësve të industrisë turistike jashtë sezoneve, përndryshe këta fillojnë çdo vit nga e para. Kjo nuk mund të ndodhë. Ajo praktikë që ekziston në Greqi dhe Itali, do vendoset edhe në Shqipëri se ne nuk kemi potencial më të vogël se ata”, u shpreh Berisha.
“Ka shumë mundësira. Shqipëria është turistike në çdo sezon dhe ky është një drejtim tjetër. Ne e nisëm këtë. E nisëm me ngritjen e infrastrukturës nga Çajupi deri në Vermosh dhe Valbonë, por kjo do vazhdojë dhe do bëjmë çdo gjë që kudo që ka potenciale turistike, të shfrytëzohen”, shtoi Berisha.
Sakaq kreu i PD u shpreh se turizmi mundëson shtimin e prodhimeve vendase, një pikë kjo kyçe në fakt në Programin e kësaj force politike, e cila ka për synim që të kemi produktet “Made in Albania” (prodhuar në Shqipëri).
“Turizmi, i jep një shtytje shumë të madhe prodhimit vendas, është shërbim, por turizmi indirekt është stimul shumë i fuqishëm i prodhimit bujqësor, artizanal… është një sektor që në të vërtetë frymëzon shumë më tepër jashtë logjistikes së vetë, me mijëra punëtorë. Në këtë kontekst, do bëjmë gjithcka që Made in Albania të jetë e ngjitur me industrinë turistike”, tha Berisha.
/tvklan.al