Ish-Kryeministri Sali Berisha në një konferencë për mediat ka njoftuar sot se do të ngre një padi për shpifje kundër Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Ish-kreu i qeverisë ka thënë se padia do të ngrihet në Francë, në një shtet neutral dhe tha se sipas avokatit të tij Sekretari Blinken nuk mund të ketë mbrojtje për shkak të detyrës së tij.

“Jam këtu për të informuar ju, për një vendim të pazakontë por të rëndësishëm. Për arsye që janë tërësisht që janë të panjohura për mua, Sekretari Amerikan i Shtetit, ka publikuar dje pa asnjë paralajmërim dhe në mënyrën më shpifëse një vendim për mua. Dua të theksoj se në të gjithë jetën time politike, por mund të shkoni dhe më tutje që kur kam prekur rrogën e parë, e deri më sot nuk ka njeri në Shqipëri apo në botë që të thotë që unë jam i implikuar në një aferë korruptive.

Ndaj dhe unë kam autorizuar avokatin tim në një vend neutral në Francë që të ngre një padi kundër zotit Blinken për shpifje publike në Gjykatën e Parisit”, ishte kjo një pjesë e deklaratës së Berishës.

Më tej Berisha tha se vendimi i DASH ka qenë i papritur për të dhe ka kërkuar që të publikohen prova kundër tij.

Ish-kreu i shtetit shqiptar po ashtu tha se vendimi i DASH i ka prekur dinjitetin dhe theksoi se beteja do të jetë kundër Blinken dhe jo kundër SHBA.

Sot ku pas 8 vitesh i larguar nga drejtimi, shkelmohet dinjiteti im, unë ndërmarr një akt të tillë, që nuk është kundër SHBA, që ushqej ndjenjat e mia, por ndaj një njeriu pas asnjë argument, ka renditur akuza që nuk ka guxuar t’i shtrojë asnjë, as kundërshtari më i egër“, shtoi Berisha.

Mbrojti aleatët politikë? Berisha: I hoqa imunitetin Mediut dhe Metës

Sali Berisha është autor i heqjes së imuniteteve në këtë vend. Ish-ministri Fatmir Mediu pas ndodhisë në Gërdec i kemi hequr imunitetin. Çfarë ndërhyrje qenka kjo? Heqja e imunitetit qenka ndërhyrje? Çfarë ndërhyrje qenka për Ilir Metën kur ai hoqi vetë dorë nga imuniteti dhe kërkoi hapjen e procesit. Ndërhyrje është pengimi me imunitet apo mospengimi me imunitet? PD do të ndjehej në vështirësi nëse ky person nuk i adresohet një gjykate neutrale për të bërë drejtësi. Në qoftë se duam të bëjnë vetë prokurorin, vetë gjykatësin, atëherë jo, kjo nuk është”.

Berisha: Do konsideroja çdo gjë nëse paraqiten prova jo të montuara

“Në qoftë se Sekretari i Shtetit do të paraqiste prova do të konsideroja çdo gjë, natyrisht jo prova të montuara në Tiranë te zyra e Edi Ramës. Provat le t’i nxjerrin. Unë kam hapur gjyq, le t’i paraqesin para gjykatës. Ai është diplomati më i fuqishëm i botës, unë jam një qytetar privat. Ka patur një tendencë për shkak të kundërshtimit që i bëra projektit  të ndarjes së Kosovës, projekt ogurzi dhe që jam krenar për qëndrimin që kam mbajtur, që të kualifikohej qëndrimi im si konspiracion ndaj politikës së jashtme të SHBA. Por unë çdo gjë e kisha publike. Ata që e iniciuan dështuan”.

Berisha për deklaratën e zyrtarit të DASH, Matthew Palmer

Do ta shqyrtoj qëndrimin e tij, por z.Palmer është zyrtar i lartë i Departamentit dhe ka mbrojtur deklaratën që ka mbajtur Departamenti i Shtetit. Megjithatë do të studioj deklaratën e tij”.

Berisha për qëndrimin e Lulzim Bashës

Unë mendoj se Partia Demokratike një qëndrim do shprehte. Dhe ai shprehu qëndrimin e Partisë Demokratike. Unë jam pjesë e asaj partie”.

Sali Berisha për mosreagimin e Presidentit Ilir Meta

Mendoj se është fare normale, s’ka asnjë lloj shkaku pse të prononcohet”.

Berisha për mundësinë e një bashkëqeverisje PS-PD

“Se cilat janë fantazitë apo projektet e të tjerëve unë nuk e di. Unë shpreha këtë konsideratë dhe u informova ju për hapin. Përsa i përket një bashkëqeverisje, do ishte fatalitet për Shqipërinë dhe nuk i shërben. Shqipërisë i duhen zgjedhje të lira e të ndershme, jo bashkëqeverisje”.

“Non grata” për ta larguar nga politika?

Sali Berisha: “Shumë variante mund të dalin. Por besoj se hapi më i rëndësishëm është t’i drejtohem gjykatës dhe gjykata të nxjerrë të vërtetën në shesh se cili ka qenë Sali Berisha gjatë jetës së tij politike. Unë e kam këtë çështje dinjiteti, pastaj se çfarë qëllimesh, secili ka të drejtë të ketë qëllimet e veta”.  /tvklan.al