Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka shpalosur programin e PD-së për infrastrukturën dhe transportin.
Gjatë fjalës së tij, Berisha shprehet se transporti hekurudhor ndodhet në gjendje mjerane, teksa premton se nëse shpallet fitues pas zgjedhjeve të 11 Majit do të ripërtërijë rrjetin hekurudhor, ku do të mundësojë lidhjen hekurudhore me Kosovën.
Kreu i PD-së shprehet se hekurudha që lidh Shqipërinë me Kosovën ka një rëndësi shumë të madhe për vendin tonë.
“Rëndësi shumë të madhe do konsiderojmë transportin hekurudhor. Në gjendjen aktuale është mjerane. Transporti mujor hekurudhor është qesharak, është 300-400 pasagjerë sepse është disfunksional. Kanë tre vjet që punojnë për hekurudhën Tiranë-Durrës, e kanë inauguruar se këto i inagurojnë shumë herë, por hekurudha mbetet aty ku është. Jo ne do të ripërtërijmë rrjetin hekurudhor dhe do të lidhemi me linjë hekurudhore me Kosovën.
Ideja e një hekurudhe Kosovë-Shqipëri është një ide e hershme e perandorisë otomane dhe pas perandorisë e marrë shumë seriozisht nga austriakët. Ajo është një hekurudhë aq e leverdishme saç është rruga e Kombit. Ajo është një hekurudhë e cila e shndërron Shqipërinë ashtu siç ka pozicionin gjeografik në epiqendrën kryesore të transporteve në drejtim të Ballkanit dhe vendeve të tjera të tij. Fatmirësisht në këtë drejtim ka studime, ka grupe dhe veçanërisht pas firmosje së marrëveshjes Kosovë-Serbi në Uashingon ky projekt u rizgjua. Ajo marrëveshje që e kam thënë në atë kohë dhe e them edhe sot ishte më e mira që është paraqitur ndonjëherë, por pse ishte më e mirë? Sepse ajo nuk synonte zgjidhjen e problemit politik, por normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në këtë pjesë të rajonit të Ballkanit. Tre ishin përfituesit kryesor, Serbia, Kosova dhe Shqipëria. Shqipëria fitonte shumë. Një port të thellë dhe hekurudhën. Kjo marrëveshje u injorua në mënyrë të papërgjegjshme nga të gjitha palët”, shprehet Berisha./tvklan.al