Ish kryeministri Sali Berisha do të rishikojë qëndrimin e tij në kuvend. Jashtë seancës plenare, që u shoqërua me tension dhe  bllokim nga ana e opozitës, Berisha tha se, kuvendi është kthyer në një strofull krimi që me shumë se çdo gjë tjetër ka në përbërje të tij hajdutë e kriminelë.

“Kreu i Meduzës krimit të organizuar Edvin Kristaq Rama, ka shndërruar parlamentin shqiptar në strofull të krimit dhe krimineleve. Këtu është bërë e padurueshme, nuk ka ndodhur kurrë që të vidhet haptazi ditën me diell. Unë do të rishqyrtoj në themel qëndrimin tim ndaj këtij parlamenti që më shumë se çdo gjë tjetër ka hajdutët e shtetit.”

Ajo që e shqetëson ish- kryeministrin Berisha, shkon edhe përtej emrit të Armando Prengës. Gishtin e akuzës ai e ngre mbi kreun e qeverisë dhe deputetët e tij, të cilët i akzuon se kanë shkelur kushtetutën duke përfituar nga paratë publike dhe pasuria e shqiptarëve.

“Si Armandi dhe më zi se Armandi janë një numër shumë i madh deputetësh, të cilët vjedhin me pa mëshirë nëpërmjet mandatit pasuritë e shqiptarëve. A jeni dëshmitarë se si Olsi Rama del protagonist në vjedhjen e shtetit? Jo një por në disa afera. A mund të vazhdohet më kështu? Unë mendoj se asnjë ditë nuk mund të vazhdohet më kështu.”

Kur flet për skenar të opozitës, nuk ka ndërmend vetëm bllokimin e kuvendit, por prerazi përjashton një skenar të ngjashëm me atë në Kosovë.

“ Opozita ka 100 mënyra për t’u përballur me këtë organizatë kriminale që është qeveria dhe parlamenti. Skenari i opozitës është lufta pa kompromis kundër krimit në parlament dhe në qeveri.  Unë atë që kam dënuar për në Kosovë do ta dënoja dhe për në Shqipëri, ne gaz lotsjellës nuk hedhim në parlament.”

Revolucioni demokratik me të gjitha mjetet e ligjshme është një tjetër opsion jo pak herë i artikuluar prej tij.

“Është absolutisht rruga e vetme përmbysja e tyre, me çdo kusht me të gjitha mjetet e mosbindjes civile demokratike”.

Tv Klan