“Rama i shndërroi shqiptarët në ‘boat people’” 

Përkundër qëndrimit të autoriteteve për të mos lejuar opozitën që të protestojë brenda perimetrit të sigurisë së Samitit Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është i vendosur që tubimin ta mbajë pikërisht para Kryeministrisë.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve, ai i fton ata që të protestojnë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit për t’i treguar edhe miqve europian realitetin shqiptar.

Sali Berisha: Kjo protestë, ditën e Samitit Europian, u thirr me qëllimin më madhor, për t’u bërë të qartë miqve në Shqipëri se Edi Rama duke shpenzuar 10-ra milionë euro dhe duke angazhuar 10-ra kompani lobimi, ka paraqitur tek ju një realitet shqiptar që nuk ekziston.

Ai thotë se arsyet për se duhet të protestohet janë të shumta, ndërsa evidenton se ndonëse Shqipëria është një vend i pasur, shqiptarët janë sot banorët më të varfër.

Sali Berisha:Kjo jo se nuk ka burime, por se burimet e tyre natyrore, pasuritë e tyre, buxheti i tyre vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen nga qeveria. Se ne nuk votojmë të lirë dhe kjo vret shpresën e shqiptarëve, i shndërron ata në “boat people”, ndaj dhe duam që zëri ynë të dëgjohet.

Liderëve europianë u sjell në vëmendje se prehë e vjedhjes së Edi Ramës kanë rënë edhe qytetarët e tyre përmes skemave të mashtrimit me call centerat dhe monedhat virtualE.

Sali Berisha: Së fundmi, vjedhjet e Edi Ramës dhe klanit të tij kanë prekur edhe qytetarët tuaj. Me Bitcoin janë vjedhur nga klani qeveritar mbi 2.2 miliardë euro.

Protesta e Partisë Demokratike është thirrur ditën e martë në orën 12:00, në të njëjtën ditë kur në Tiranë mbahet edhe Samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Tv Klan