Vetëm pak orë pasi Edi Rama mblodhi të vetët, Sali Berisha u shfaq i buzëqeshur përpara medias duke ironizuar takimin e Kryeministrit, si një mbledhje e byrosë politike të Komitetit Qendror.
“Një fjalim copy-paste me atë që mbante Ramiz Alia kur drejtësia e Sigurimit të Shtetit filloi t’i dalë nga duart”, tha Berisha.
Berisha foli për pazare të mbyllura mes kryeministrit dhe kreut të SPAK-ut, ku çmimi që duhej paguar sipas tij ishte “koka” e Erjon Veliajt.
“Erion Veliaj ishte çmimi që u pagua për Olsin. Çfarë i tha ai Altinit? Ore i tha, po e kape këtë, unë jap dorëheqjen dhe vjen Berisha. Po unë do vij, nuk ka gjë që më pengon mua. Mori fund”, u shpreh Berisha.
Megjithatë, Berisha u shpreh i gatshëm edhe njëherë për një reformë të pavarur në drejtësi, me sytë edhe kësaj radhe nga ndërkombëtarët.
Lidhur me akuzat e ngritura nga Kryeministri në adresë të gjyqtarit që mori vendimin për arrestimin e Veliajt, Sali Berisha mohoi çdo njohje me të.
“Nuk e njoh, nuk e kam takuar kurrë. Ai dhe çdo gjykatës si ai, çdo qytetar si ai, duhet të ndjehet krenar me të shkuarën e tij se nuk është bir xhelati si Edi Rama”, tha Berisha.
Pa ironizuar nuk la edhe qytetarin dixhital që i dërgoi SMS kreut të qeverisë, duke publikuar dhe emrat që tha se fshiheshin pas tij.
“Irena dhe Ulsiu. Lexonte këtu dhe sytë i kishte tek Ulsiu”, u shpreh Berisha.
Akuzat për skenarë e pazare, Berisha i vijoi me komplotistë e përgjime, ku kësaj radhe në shënjestër vuri numrin dy të qeverisë.
“Është zhdukur nga radari. A e dini ju që ai Bistri kishte vendosur sistemin e regjistrimit të kundërshtarëve, armiq të Belindës? Absolutisht po. Midis të tjerësh ishte Erioni dhe Jolka”, tha Berisha.
Edi Ramën e etiketon si kreun e narkoshtetit, teksa i numëroi aferat që sipas Berishës ka përfituar nga miqtë e tij biznesmenë.
Ashpër dënoi mosveprimin e policisë, teksa foli për të armatosur në mitingun para SPAK-ut.
“Kjo është haptazi inkurajim për pushtim ndërtese. Punonjësit e bashkisë që protestuan te Skapi i partisë ishin të armatosur”, tha Berisha.
Me të njëjtën gjuhë dënoi edhe një tjetër sulm që sipas tij i është bërë aleatit të tij që ndodhet para hekurave.
“Dënoj sulmin që i është bërë Metës, akt banditesk”, tha Berisha.
Ndërsa në orët e pasdites, nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të demokratëve, Berisha shpjegoi edhe arsyen që sipas tij e ka vënë Kryeminisitrin Rama në siklet këto 48 orë.
“Zoti Cris La Sivita u bëri të qartë shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se Edi Rama, si kukull e Sorosit duhet të ketë fatin e tij dhe se SHBA kanë partner dhe aletat PD-në dhe Sali Berishën.”
Dhe pak ditë pasi e shpalli “non grata” armikun e tij të përbetuar, sërisht ripërsëriti nevojën për desorosizimin e Shqipërisë.
“Një ligj, siç ishte ligji që u bë për dekomunistizimin, do të bëhet dhe për desorizimin.”
Mes ironisë e batutave, Berisha shpjegoi edhe hallin që tha se e ka zënë Kryeministrin kur flet për diplomën e Belind Këlliçit.
“Po tani ku është halli i diplomës? Halli i diplomës është tek “Lubia”. E paskan çuar në Prokurori se ka diplomë false.”
Nga Këshilli Kombëtar, Berisha kërkoi krijimin e një fronti sa më të gjerë opozitar, ndërkohë që ky forum miratoi nisjen e primareve me 1 Mars. Ky proces do të zhvillihet në rang qarku dhe drejtuesit politikë nuk do të jenë pjesë e garës.
Tv Klan