Nga Prokuroria e Posaçme ku ishte në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, Sali Berisha akuzoi kreun e këtij institucioni si mbrojtës të krimit elektoral.
“PD ka dorëzuar gjatë fushatës elektorale mbi 15 padi, të cilat natyrisht do kenë fatin e të gjitha padive të tjera, sepse në krye të amnistisë së krimit elektoral, qëndron vetë Altin Dumani, shërbëtor i shpifur i Ulsi Manjës dhe Arben Rakipit, i keqpërdorur në shkallë ekstreme nga Edi Rama”, tha Berisha.
Pas Dumanit, gjyqtarja Irena Gjoka ishte shënjestra e radhës e kryedemokratit.
“Kryetarja e GJKKO, Irena Gjoka është një mashtruese ordinere e pacipë, subjekt i ligjit. ka gënjyer shtetin shqiptar për dëbimin nga Greqia. Ka marrë prokurë për të hequr masat. Gjoka është dënuar me burg në Janinë”, tha Berisha.
Falenderoi mediat për kontributin e dhënë në denoncimin e asaj që e cilëson aferë elektorale, teksa vërejtje i tërhoqi cilitdo nga radhët e të vetëve në selinë blu.
“Cilido politikan duhet të ketë një kujdes të veçantë në marrëdhëniet me gazetarin”, u shpreh Berisha.
Ndonëse nuk mundi të hyjë në parlament edhe pse rezultoi i dyti më i votuari në Tiranë në listën e hapur, Sali Berisha e cilësoi mjekun Ilir Alimehmeti një luftëtar të çmuar të Partisë Demokratike.
“Dëshmoi se ai është një veprimtar shumë i respektuar dhe i çmuar. Është një intelektual me pëlqyeshmëri të lartë dhe reputacion shumë të mirë. Unë nuk besoj se vetëm parlamenti është përfaqësim, një parti ka shumë përfaqësime”, tha Berisha.
Kur pyetet nëse do ta çelë si deputeti më i vjetër seancën e parë të kuvendit në Shtator jep këtë përgjigje.
“Nuk do mund të ndodhë ndonjëherë ajo”, u shpreh Berisha.
Por a ka komunikuar me drejtuesin e fushatës elektorale Chris LaCivita pas humbjes në zgjedhjet e 11 Majit?
“Edhe Sali Berisha dao që është njeri publik ka dhe ai privatësinë e tij. Ndaj dhe po mjaftohem me falënderimet dhe kontributin për ndihmën që na ka dhënë dhe që jep”, tha kryedemokrati.
Deklaratat e Berishës u bënë pak minuta përpara nisjes së seancës paraprake në GJKKO, që vendosi për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Tv Klan