Sipas ish-kryeministrit Sali Berisha, dëmi i krijuar nga pandemia do të jetë shumë i madh për ekonominë botërore. Sipas tij, do të hyhet në recension, por kësaj herë do të kalojë më shpejt.

Kjo pasi sipas Berishës, ndryshe nga kriza e 2008-s, ekonomia këtë herë nuk qe e sëmurë, por e sëmuri virusi.

“Kjo do përcaktohet sa do vazhdojë pandemia. Pas pandemisë bota do të bjerë në recension nuk ka diskutim veçse një recesion i provokuar nga forca madhore do të kalojë më shpejt. Nuk qe ekonomia e “sëmurë” kësaj here, po ekonominë e “sëmuri” virusi, po iku virusi rimëkëmbet ekonomia. Padyshim dëmi do të jetë shumë i madh”, tha Berisha.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, gjatë një lidhjeje live në emisionin “Opinion” u shpreh se sheh me shqetësim qëndrimin e qeverisë ndaj biznesit në Shqipëri në këtë kohë krize. Sipas tij, ky sektor duhet ndihmuar në mënyrë konkrete.

Berisha përmendi edhe bujqësinë. Ai theksoi se nuk do të ketë mungesë të ushqimeve në vendin tonë, por duhet punuar që të paktën të prodhohet në atë mënyrë që ekonomia të mos kolapsojë në çdo sektor.

“Unë shoh me shqetësim qëndrimin ndaj biznesit në Shqipëri. Janë fjalë të përgjithshme dhe boshe sepse biznesi duhet ndihmuar me masa imediate konkrete. Janë të nevojshme të paguhen të gjitha qiratë. Është e domosdoshme të shtyhet çdo pagesë e taksave. Është e domosdoshme të ndërpritet çdo punim publik. Është e domosdoshme të shkurtoj menjëherë të paktën 70% të shpenzimeve operative. Është e domosdoshme të kthejmë potencialin “së pari jeta”, ekzistenca para esencës.

Jetike një mbështetje e fuqishme për fermerët shqiptarë. Në bujqësi do të ishte e domosdoshme një orientim i fuqishëm. Mungesa ushqimi nuk do të ketë, por e mira do të jetë që të prodhojmë aq shumë që ekonomia të mos kolapsojë në çdo sektor”, tha Berisha./tvklan.al