Kryetari i PD, Sali Berisha i bën thirrje FBI që të hetojë abuzimet që janë bërë sipas tij, me fondet amerikane në vendin tonë.
Nga selia blu, ai akuzoi njerëz të afërt të Kryeministrit Edi Rama si dhe bashkëpunëtorë të tij, si persona përgjegjës për këto vjedhje.
Berisha sqaroi edhe njëherë rolin e Chris LaCivitas në PD, duke thënë se ai nuk do të lobojë në SHBA për heqjen e sanksionimit non-grata ndaj tij, por do të përqëndrohet vetëm me fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 Majit.
Teksa vijon betejat politike me mazhorancën, PD po bëhet gati edhe për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë nëpërmjet primareve, të cilat do të mbahen më 1 Mars, por dy deputetë demokrat nuk do të kërkojnë një tjetër mandat. Ata janë Helidon Bushati dhe Ferdinand Xhaferraj.
Më 18 Shkurt përfundoi dhe afati i përfundimit të aplikimeve për të marrë pjesë në primare, sipas të dhënave, janë rreth 300 demokratë të cilët kanë shprehur vullnetin për të qenë pjesë e betejës elektorale brenda PD.
Klan News