Nga njësia 8, një prej bastioneve të të djathtës në Tiranë, Sali Berisha firmosi të parën kontratë me qytetarët, duke premtuar kthimin e saj në realitet pas uljes në karrigen e Kryeministrit.
“Garantoj të gjithë ata që kanë marrë dokumentet me të cilat kjo qeveri e mban peng dokumentin përfundimtar të legalizimit dhe legalizimi do shpallet pa asnjë akt, pa asnjë pagesë. Garantoj pronarët e tokës së zënë se ata do dëmshpërblehen me vlerë tregu nga qeveria, së treti, nuk do ketë urbanizim para legalizimit”, tha Berisha.
Projektin e “Shqipërisë Madhështore” tha se do e nisë nga pensionistët, për ta nxjerrë vendin nga varfëria ekstreme.
“Sepse pensionistin kjo qeveri e ka diskredituar në mënyrën më armiqësore. Do e fillojmë me ato të ardhura që i marrim, do i shpërndajmë krejt ndryshe. Do i çojmë për rroga, për pensione, dhe u garantoj ju se ne do ndërtojmë më shumë rrugë, më shumë shkolla, më shumë infrastrukturë”, shprehet lideri demokrat.
Premtoi ndezjen e motorrëve të ekonomisë dhe ulje të taksave e tarifave për qytetarët e bizneset.
“Do përgjysmojmë çmimin e ujit. Energjia 7 Lekë për konsumatorin 6 Leke për biznesin. Taksa 10% e kuranit e bibles e drejtësisë së vërtetë. Kthehemi tek 105 mos edhe pak më ulët”, thekson kreu i PD.
Por ku do t’i gjejë Sali Berisha paratë për të bërë realitet Shqipërinë e tij madhështore?
“Ky, rrugën 20 milionë Euro kilometrin. Unazën e Tiranës, e merr dhe e ndan. Unaza e Tiranës, 13 kilometra ndahet në 14 kontrata, po pse? Për të vjedhur 14 herë. Pra, a janë lekët? Lekët janë absolutisht, por Lekët vidhen”, thotë Berisha.
Por Sali Berisha shkoi edhe më tej kur tha se çdo para e shpërdoruar do kalojë në skaner të një auditi. Gjatë prezantimit të “Librit të Zi të rilindjes”, Berisha tha se për këtë do ndjekë modelin përtej oqeanit në Shtetet e Bashkuara.
“Audit të tipit Elon Musk në SHBA dhe ju garantoj se do ndodhë, për t’ia kthyer paratë e vjedhura shqiptarëve”, shprehet lideri demokrat.
Premtoi zhbërjen e asaj që e cilëson reformë sorosiane dhe krijimin e një strukture të re me bekimin e Komisionit të Venecias.
“Me Komisionin e Venecias dhe miqtë e aleatët më të mirë të Shqipërisë, institutet respektove që merren me të drejtën, do bëhet”, thekson Berisha.
Për kreun e demokratëve “Libri i Punëve të Mira” dhe ai i “Punëve të Zeza” faktojnë se Shqipëria Madhështore është një projekt 100 përqind i realizueshëm.
Tv Klan