Fitojmë si në zgjedhjet e ’92

Refuzoi të flasë me shifra lidhur me numrin e bashkive që do të fitojë në 14 Maj koalicioni “Bashkë Fitojmë”, por përpara gazetarëve Sali Berisha tha se kishte bërë një bilanc të fitores së thellë me aleatin e tij Ilir Meta, me të cilin u takua paradite. Fitoren e krahasoi me zgjedhjet e vitit 1992, kur Partia Demokratike arriti të marrë ‘92 mandate deputetësh në parlament.

“Pra mund të bëjmë fjalë për një pranverë si në ‘92”.

Pavarësisht uljeve dhe ngritjeve në marrëdhëniet mes tij e shefes së Misionit të ODIHR-it, Sali Berisha vlerësoi raportin e vëzhguesve në zgjedhjet e fundit.

“Nuk ka as dashuri e as armiqësi të përjetshme. Audrey Glover në zgjedhjet e fundit ka bërë një raport shumë profesional dhe unë e kam vlerësuar raportin e saj”.

Ashpër dënoi deklaratën e Kryeministrit Rama për daljen nga Arbitrazhi, ku sipas Berishës fatura që Shqipëria duhet të paguajë është së paku 600 milionë euro.

“Dënoj me forcën më të madhe deklaratën prej zuzari të Edi Ramës. Arbitrazhi Ndërkombëtar është nën ombrellën e Bankës Botërore, rrjedhimisht të OKB-së. Arbitrazhi i kësaj organizate është i detyrueshëm për të gjithë anëtarët, për të gjithë vendet anëtare të BB dhe OKB. Edi Rama, për shkak të korrupsionit të tij të tmerrshëm, kërkon të ndëshkojë Shqipërinë.”

Në shënjestër të akuzave vuri edhe Kryebashkiakun e Tiranës, Erjon Veliaj që tha se pastron paratë e Gardës Revolucionare të Iranit.

“Të dhëna të qarta lidhin djegësin e Tiranës, Erion Veliajn me Bruno Presecin dhe Ali Aliabadin, ish-komandantin e Pasdaran, tani sipërmarrës i madh në Iran, nën sanksione ekonomike të BE dhe SHBA. Lidhja e Erion Veliajt me Teheranin nuk është e re. Daton 15-20 vjet më para. Udhëtimet e tij të shpeshta janë denoncuar nga shërbime të vendeve partnere”.

Berisha tha se hetimi ndërkombëtar për këtë çështje është domosdoshmëri pasi bëhet fjalë për përfshirjen e falangave mafioze të dy kontinenteve.

Tv Klan