Sali Berisha e cilëson si një paralajmërim që prek edhe Shqipërinë, deklaratën e zv/presidentit të SHBA në konferencën e sigurisë në Munih se kërcënimi që e shqetësonte më shumë në lidhje me Europën nuk ishte as Kina as Rusia por kërcënimi nga brenda, tërheqja nga vlerat dhe liria e shprehjes.

“Ky ishte një paralajmërim shumë i ndershëm, shumë i fortë, nëse nuk na bashkojnë vlerat secili në punën e vet… Nëse kishte një njëri që i takonin pikë për pikë ato për të cilat foli zv/Presidenti ishte Edi Rama”, tha Berisha.

Teksa mori pjesë në prezantimin e programit ekonomik të qeverisjes 2025-2029 të PD-së, Berisha tha se me të ardhur në pushtet do të bëjë një auditim total të 12 viteve të qeverisë Rama, për të zbuluar se ku kanë shkuar 64 miliardë Euro të buxheteve të kësaj qeverie.

“Do të bëhet një audit i plotë i të gjithë këtij abuzimi i paprecedentë në historinë e Shqipërisë”, tha Berisha.

Ndër të tjera Berisha vuri theksin tek parimi i taksave të ulëta.

“Do të çlirojmë qytetarët dhe bizneset nga barra e tmerrshme e taksave, nga dora e zezë e shtetit. Do bëjmë çdo gjë që taksat t’u kthehen qytetarëve”, tha Berisha.

Pjesë e programit të PD-se është edhe rritja e pensioneve, minimumi jetik 200 Euro si dhe hartimi i një Kodi të ri Fiskal.

Berisha premton se PD do marrë çdo masë që Shqipëria të rrisë prodhimin në të gjithë sektorët e ekonomisë, ndërsa në fokus do të jetë edhe rikthimi i shqiptarëve në atdhe.

Tv Klan