Gjatë fjalës së tij në Foltoren e Parlamentit, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha u ka bërë thirrje të gjithëve që të bashkohen në protestën e PD që do të mbahet më 7 Korrik në Tiranë.

Sali Berisha: U bëj thirrje dhjetëra mijëra bizneseve të vogla dhe të mesme, dhjetra mijëra pensionistëve të lirë, ekzistenca e tyre kërcënohet nga taksat e reja: Bashkohuni me ne se ky zotëri ka vetëm një qëllim, falimentimin dhe largimin tuaj nga Shqipëria. Emigrantëve shqiptarë ju bëj thirrje: Bashkohuni në protestën e 7 Korrikut për të mbojtur të drejtat tuaja kushtetuese. Çdo emigrant duhet të ketë të drejtë të votojë për partinë ku dëshiron dhe vota e tij të llogaritet nga ku ai është shpërngulur. Duhet të jenë ata në protestë më 7 Korrik. Koha është të ngrihemi dhe të përmbysim regjimin monist. Një thirrje kam për pronarët, u bëj thirrje të bashkohen me ne se pronat e tyre janë më të kërcënuara se kurrë. Kreu i Kadastrës, i hajdutërisë do të deklaronte se vetëm 250 regjistra janë të paprekura në Tiranë, ky hajdut do të deklaronte se dhjetëra mijëra faqe janë zhdukur. Qytetarë që keni prona, ju siguroj se vitin 2007 u dixhitalizua çdo dokument dhe ata që kanë vënë dorë nga këto që janë mbrapa, ai tjetri nuk është aty se ka marrë gjysmën e vendit, do të shkojnë aty ku e kanë vendin.

Berisha e komentoi praninë e Kryeministrit Rama në samitin e Ballkanit të Hapur si një qëndrim prej një vasali të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Mes të tjera, Berisha i ka kërkuar samitit të hapë negociatat për Shqipërinë.

Sali Berisha: Ju bëj thirrje të bashkohen kundër “Ballkanit të Hapur”, kundër shndërrimit të Tiranës në Beogradin e vogël. Dënoj me ashpërsi qëndrimin e Ramës ndaj Samitit të Brukselit, shkoi atje si një vasal i Vuçiçit dhe të gjithë e panë me këtë sy. I bëj thirrje samitit të hapë negociatat për Shqipërinë dhe ta ndajë atë nga Bullgaria./tvklan.al