Kryeministri Berisha, me ftesë të ministrit francez të Energjitikës Eric Besson,  merr pjesë në Seminarin “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi”.

Evenimenti zhvillohet në Paris sot dhe nesër dhe është organizuar nën kujdesin e Presidentit Nicolas Sarkozy. Kryeministri Berisha është i ftuar nderi në këtë seminar dhe do të mbajë një fjalë në ditën e parë të punimeve të tij, në panelin me temë “Cilat janë fuqitë e reja?”, i cili synon të vërë në pah ato vende, ekonomitë e të cilave njohën rritje ekonomike, në kuadrin e përgjithshëm të krizës dhe të recesionit ekonomik botëror. Në këtë seminar do të diskutohet gjithashtu për modelet e reja të rritjes ekonomike, apo për fuqitë e reja ekonomike në botë dhe mbi vlerat e reja që duhet të ketë bota pas krizës ekonomike e financiare.

Berisha do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti francez Sarkozi, për nder të pjesëmarrësve në Seminar, ndër të cilët edhe shumë udhëheqës qeverish dhe shtetesh nga disa vende të botës./tvklan.al