“Shprehja “PD nuk mund të hajë bar” fyerje për çdo demokrat”

Ish-Kryeministri Sali Berisha tha se kërkesa e ambasadores amerikane për Lulzim Bashën që vetë Berisha të mos jetë në parlamentin e ardhshëm është në dhunim flagrant të misionit të saj. Berisha shprehet se ka kërkuar fakte dhe prova për arsyet për të cilat u shpall ‘non grata’, por deri tani nuk është publikuar asgjë.

“Asnjë shpifje, trillim apo sajim nuk mund të pengojë kurrë Sali Berishën të përmbushë misionin e tij të besuar nga zgjedhësit shqiptare në mbrojtje të interesit kombëtar dhe publik të shqiptarëve. Që nga data 19 Maj 2021 dhe deri sot pas vendimit të Sekretarit Blinken, të bazuar në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe George Soros, armik i demokracisë së shqiptarëve dhe shpifjet e tyre, unë i kam kërkuar dhe i kërkoj Sekretarit Blinken të publikoje çdo fakt, dokument apo provë që ai ose kushdo tjetër mbi tokë disponon për të faktuar ato që ka shkruar në vendimin e tij. Por deri sot nuk është publikuar asnjë prove dokument apo fakt vetëm e vetëm se ato nuk ekzistojnë”.

Duke iu referuar shprehjes së ambasadores amerikane që “PD nuk mund të hajë bar”, Berisha e quajti atë një ofendim për të gjithë demokratët.

“Unë dua t’i rikujtoj Zonjës ambasadore se ke gabuar rëndë me barin që iu përmende demokratëve. Në këtë kontekst shprehja juaj se PD nuk mund të hajë bar është një fyerje për çdo demokrat dhe për çdo shqiptar të cilët citate të ngjashme i kanë dëgjuar vetëm në diktaturë apo nga raciste albanofobë”.

Deklaratën e tij, Berisha e mbyll duke përsëritur kërkesën për transparencë për atë që ai e quan një “marrëveshje të dyshimtë” dhe që u arrit në prani të ambasadores amerikane, midis kryetares së KLGJ, Llagami dhe Institutit East West që sipas Berishës drejtohet nga Delina Fico.

Tv Klan