Thellimi i derdhjes së lumit Bunë dhe kthimi i tij në një lumë të lundrueshëm dhe piktoresk është projekti më i ri, në fakt i nisur për emergjencë, që kryeministri Sali Berisha theksoi gjatë inspektimit të nisjes së punimeve, pas mbledhjes së qeverisë të mbajtur në Shkodër, punime që sipas kryeministrit do të drejtohen nga ekspertë italianë.

Kryeministri Berisha vizitoi më pas bazën ushtarake të Gjadrit, ku është vendosur baza operacionale për shpërndarjen e ndihmave, ku ai falenderoi dhe përshëndeti nga afër të gjithë ata ushtarakë e oficerë që u solidarizuan në ndihmë të qytetarëve në zonat e përmbytura.

“Erdha t’ju përshëndes, t’ju falenderoj që të gjithëve, ushtarë, anëtarë të Gardës, Rezervave të Shtetit dhe të gjithë ju që këtu keni punuar nga 18 orë, nga 20 orë dhe keni përballuar një vëllim të jashtëzakonshëm pune. Unë jam i vetëdijshëm dhe kam informacion të saktë se çfarë përpjekjesh të mëdha keni bërë ju në paketimin e sistemimin e të gjitha ndihmave, por edhe një herë e shfrytëzoj rastin për të falënderuar dhe të gjithë ata biznesmenë bujarë, që kanë kontribuuar. Por një gjë është e sigurt: ky operacion shpëtimi, është operacioni më i fuqishëm që ka ndërmarrë vendi ndonjëherë, por është edhe operacioni më i suksesshëm”, tha Berisha.

Më parë kreu i qeverisë, pas mbledhjes së kabinetit të mbajtur në Bashkinë e Shkodrës, bëri një vizite drejt hotel Rozafës, ku janë strehuar banorë të shpërngulur nga zonat e përmbytura.

 “Së pari dua t’ju siguroj se çdo minutë dhe çdo orë kemi qenë dhe jemi me dhimbjen tuaj. Së dyti dua t’ju garantoj se çdo dëmtim i krijuar nga ujërat, duke filluar nga lodrat e këtyre vogëlushëve, tek librat, orenditë dhe çdo gjë tjetër, deri tek të mbjellat dhe gjithçka që ju ka ndodhur, qeveria do ta kompensojë. Me projekte madhështore dhe përkujdesje maksimale do të bëjmë çdo gjë që ujërat të jenë mrekullia e Shkodrës dhe të mos shndërrohen në përmbytje dhe fatkeqësi”, u shpreh kryeministri Berisha.

Sërish kryeministri u deklaroi banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore angazhimin maksimal të qeverisë në kapërcimin e pasojave të përmbytjes, një katastrofë e pandodhur kurrë më parë në këtë zonë, për t’i dhënë fund kërcënimit të Shkodrës nga ujërat me projekte madhore.  

Tv Klan