AMA do të shndërrohet në gijotinë të fjalës së lirë

Një militant partiak do të emërohet në krye të Autoritetit të Mediave Audiovizive, organizmit rregullator për fushën e medias, në shkelje flagrante të ligjit. Denoncimi vjen nga ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili rendit disa fakte, sipas të cilave, kandidati i përzgjedhur për të qenë kryetar i AMA-s nuk plotëson kriteret ligjore dhe thotë se kjo është përgjigja që Rama u jep institucioneve ndërkombëtare që kanë shprehur shqetësim për lirinë e fjalës në Shqipëri, nëpërmjet raporteve të tyre.  

“Në këtë traditë ai reagon ndaj të gjitha raporteve të mësipërme, duke emëruar në krye të AMA-s, në kundërshtim flagrant me ligjet, një militant të thekur, Maklen Misha ish -kandidatin për deputet, gjë të cilën ligji e ndalon. Ai ka qenë drejtues i G99 dhe kandidat për deputet i kësaj partie. Po keshtu, ai është këshilltari i Xhaçkës, i cili, me ligj është post politik. Përveç kësaj, Maklen Misha nuk plotëson kriterin ligjor të 10 viteve punë. Për të nxjerrë me çdo kusht Maklenin, kandidatin e zemrës, Edvini i ka vendosur edhe tre pseudorival atij, apo kallp kandidatë, të cilët njëlloj si Makleni nuk kanë 10 vite punë dhe kanë mbajtur detyra politike. Me gjithë këto, Makleni e ka te sigurt emërimin e tij nga narkoparlamenti”.

Në relacionin që Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit i ka dërguar komisionit të Medias, për të bërë përzgjedhjen e kryetarit të AMA-s, figurojnë 4 kandidatë. I pari është Maklen Misha, i pasuar nga Edvin Kukunja, Fatjon Hoxhalli dhe Denis Dedej. Asnjëri prej tyre nuk plotëson kriterin ligjor prej 10 vitesh pune, në kuptim të ligjit.

Misha, thuhet në relacion, ka vetëm 8 vjet e 1 muaj punë sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Ka mbajtur edhe detyrën e Këshilltarit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës apo të Zëvendëskryeministrit, por nuk përmendet fakti që në vitin 2009 ai ishte kandidat në listën shumë-emërore të partisë G99 në Korçe, siç tregohet në këtë tabelë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku ai është renditur i dyti në radhë.

Kandidati Edvin Kukunja ka 4 vite e 7 muaj pune. Ka qenë po ashtu këshilltar në Ministrinë e Arsimit dhe Drejtësisë. Kandidati Fatjon Hoxhalli, sipas relacionit, ka 6 vite pune. Ka qenë këshilltar i Zëvendëskryeministrit dhe në Ministrinë e Arsimit. Ndërsa Denis Dedej, i punësuar në Bashkinë e Tiranës dhe në Shërbimin Kombëtar i Punësimit, nuk përcaktohet se ç’detyra ka mbajtur dhe ka vetëm 7 vite e 9 muaj punë në librezë.

Relacioni përmban edhe të dhëna për anëtarët, por teksa për anëtarët saktësohet se i plotësojnë ose nuk i plotësojnë kriteret ligjore, për 4 kandidatët për kreun e AMA-s, nuk jepet asnjë konkluzion i tillë, edhe pse ata janë në shkelje të ligjit përsa i përket eksperiencës prej 10 vitesh të punës.

Me këtë mënyrë, me emërimet në shkelje të ligjit, thotë ish-Kryeministri Berisha, synohet kapja e AMA-s në mënyrë që të goditet fjala e lirë.

“Qëllimi i këtij akti është një dhe vetëm një: kapja e institucionit të AMA-s dhe shndërrimi i tij në një gijotinë të fjalës së lirë”.

Sipas ish-Kryeministrit Berisha, me këtë rast Kryeministri Rama po shpërfill qëndrimet e Komunitetit Ndërkombëtar, si Bashkimi Europian, Këshilli i Europian, Komisioni i Venecias, Reporterët pa Kufij apo Freedom House. Përzgjedhja e kryetarit do të bëhet nga Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, por për shkak se kandidatet janë në shkelje të ligjit dhe nuk plotësojnë kriteret, komisioni duhet t’i rrëzojë ato dhe procedura për zgjedhjen e tyre duhet të nisë nga e para.

Tv Klan