Sali Berisha e shpalli Edi Ramën veglën e Vuçiçit dhe deklaratat e tij për vendosjen e KFOR-it në komunat në veriun e Kosovës si artikulim të kërkesave që në të vërtetë thotë ai janë të presidentit serb.

“Edi Rama kërkoi sot fjalë për fjalë siç kërkoi Beogradi dhe mashtroi shqiptarët dhe publikun se gjoja ka kërkuar Prishtina, që në komunat e veriut të Kosovës, të vendoset KFOR. Është policia e Kosovës, ajo është linja e parë në garantimin e rendit dhe luftën kundër kriminalitetit”.

Edhe për kërkesën e kryeministrit Rama për mbajtjen e një konference paqe është i sigurt se është ajo që kërkon presidenti serb dhe që në Tiranë del dhe e thotë me zë Edi Rama. Berisha garanton se është pjesë e planit të vjetër të të dyve për ta ndarë Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë.

“Është një kërkesë djallëzore, nuk ka qëllim tjetër përveç indirekt për të dalë tek ndarja e Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë”.

Berisha i kërkon Ramës të ndalet dhe mos të vazhdojë të ndërhyje në punët e brendshme të Kosovës, por i bën dhe apel komunitetit ndërkombëtar ta frenojë kryeministrin shqiptar në këtë përpjekje të nxitur nga Beogradi.

“I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar, të mos lejojë këtë ndërhyrje”.

Berisha sheh si zgjidhje të vetme arritjen e një marrëveshje mes Prishtinës e Beogradit sipas planit franko-gjerman.

Tv Klan