Ish-kryeministri Sali Berisha doli në një deklaratë për shtyp pasi Kryeministri Edi Rama kërkoi që në komunat e veriut të Kosovës të vendoset KFOR-i. Këtë kërkesë, Berisha e konsideron “djallëzore” dhe se “kërkon të ndajë Kosovën”.

“Kërkesa e Edi Ramës me porosi të Aleksandër Vuçiç që komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe të vendosen nën kontrollin e KFOR-it është një kërkesë djallëzore e cila nuk ka qëllim tjetër përveç indirekt për të dalë tek ndarja e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë. Këtë projekt Edi Rama për Komunat e Veriut të Kosovës e mbrojti për vite të tëra me shkëmbim territoresh, por ky projekt ka dështuar, është arkivuar njëherë e mirë. Ndaj dhe dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim të Edi Ramës që shkon fund e krye në përputhje me kërkesat e Beodradit”, tha Berisha.

Berisha është edhe kundër konferencës që kërkon Rama për Kosovën dhe Serbinë. Sipas tij, kjo kërkohet nga Rusia.

“Edi Rama nxori përsëri nga sirtarët, kërkesën për konferencë ndërkombëtare të paraqitur nga Beogradit dy vite më parë dhe të mbështetur fuqimisht nga Lavrov. Një konferencë ndërkombëtare për Kosovës ka qëllim vetëm të zhbëjë të gjitha ato që janë arritur dhe të shënojë një fillim nga e para për llogari të nacionalizmit serb”, u shpreh ai.

Berisha dënoi ato që ai i quan “ndërhyrjet e Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës”./tvklan.al