Ajo që do të nisim është beteja finale në të cilën ju siguroj se ne do të fitojmë

Në një deklaratë për mediat, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Kryeministrit Edi Rama.

Kryedemokrati Berisha ka një thirrje për të gjithë demokratët kudo që ndodhen “për t’u mobilizuar në betejën finale” me atë që ai e quan “kalbësirë e demon të pushtetit”.

Sali Berisha: Jam këtu për të kërkuar, largimin e menjëhershëm, dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës nga detyra e Kryeministrit. Jam këtu për të deklaruar se për PD-në, popullin opozitar, është absolut dhe i panegociueshëm. Prevalon, mbizotëron mbi çdo gjë tjetër.

Pa largimin e këtij armiku të egër, të lirisë, identitetit dhe interesit të shqiptarëve, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë zhvillim tjetër. Demokrate dhe demokratë kudo që janë, në Shqipëri dhe jashtë saj, duhet të mobilizohen për betejën finale me këtë kalbësirë, monstër, demon të pushtetit.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha solli në vëmendje sërish çështjen e ish-agjentit të FBI-së, McGonigal, teksa tha se kryeministri “Rama angazhoi prej figurave më të fuqishme të FBI-së kundër PD-së”.

Sali Berisha: Edi Rama me aktin e tij, ndaj PD-së me angazhimin e njërit prej figurave më të fuqishme të zbulimit të vendit partner, për falsifikim, manipulim dhe luftë të hapur ndaj PD-së, tregon se ai meriton çdo dënim, ndëshkim dhe tregon se demokratet dhe demokratët do të ngrihen në një betejë vendimtare, kësaj here për shpëtimin e Shqipërisë nga armiku më i egër që shqiptarët kanë pasur pas Enver Hoxhës, në historinë e tyre.

Sot afera Rama-McGonigal, është kryeafera e planetit. Një dramë e tmerrshme në fushën  e sigurisë që zhvillohet sa në SHBA, po kaq edhe në Tiranë, që ka për autor, Charls McGonigal, njeriun kryesor të kundërzbulimit në SHBA, që kishte njohuri të tmerrshme, të jashtëzakonshme për sigurinë e vendit të madh.

Dhe ky njeri i ofrohet Edi Ramës për të shkatërruar opozitën shqiptare. Këtë njeri, Edi Rama pasi grabiti zgjedhjet e 2017, e kontrakton për ti dhënë opozitës goditjen e mëshirës.

Në deklaratën për mediat, kryetari i PD-së, Sali Berisha ka drejtuar sërish thirrjen e tij për demokratët teksa ka thënë se “kjo është beteja finale e luftës” për të cilën është shprehur i bindur se do ta fitojnë.

Sali Berisha: Demokratet dhe demokratë, janë momentet më solemne, më kritike, më të rëndësishme të  jetës tuaj politike. E ardhmja e PD-së, e demokracisë shqiptare do të përcaktohet nga suksesi i betejës kundër kësaj kalbësire të pashembullt, që angazhoi në shkelmim më të paimagjinueshëm, flagrant, parimi dhe interesi të Shqipërisë dhe shqiptarëve, agjenturën, mafian ruse për shkatërrimin e pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri.

Ne pra hymë tani në finale. Çdo luftë ka betejën finale dhe kjo që do të nisim është beteja finale në të cilën ju siguroj se ne do të fitojmë.

Edhe njëherë i kërkoj Edi Ramës në mënyrë të prerë; largohu menjëherë nga pushteti. Jep dorëheqjen se alternativë tjetër nuk ka për ty. Edhe tanket Putin të vijnë në Tiranë, nuk të mbajnë në pushtet, largohu menjëherë.

Edhe njëherë, demokratë dhe demokrate, ora është e jona, e një beteje që në do ta bëjmë me vendosmëri, guxim dhe përkushtim si asnjëherë tjetër më parë./tvklan.al