Pak ditë pasi e akuzoi kundërshtarin e tij politik për grusht shteti ndaj institucioneve të drejtësisë, Sali Berisha u shfaq me të vetët përpara dyerve të SPAK-ut. Ndryshe nga Edi Rama, vetes dhe mbështetësve të tij i njohu të drejtën kushtetuese të protestës.

“Rikthyen në Tiranë skenat e viteve ’80, kur Eskobari sulmoi gjykatën dhe aty pati viktima të tëra. Dallimi i protestës opozitare me protestën qeveritare para një institucioni shtetëror është dallimi midis ushtrimit të të drejtës demokratike të protestës dhe ushtrimit të grushtit të shtetit.”

Dyshen Rama-Veliaj e paralajmëroi se do të mbajnë përgjegjësi për aktin.

“Do të ndëshkohen në mënyrë shembullore që kujt të mos i shkojë mendja kurrë në pushtet të sulmojë pushtetin tjetër.”

Akuzat ndaj politikës i vijoi edhe mbi kreun e SPAK-ut, teksa prerazi tha se pas ardhjes në pushtet do ta shkrijë këtë organ, që sipas tij fle mbi dosjet e krimit.

Të njëjtin fat me bandat do të kenë prokurorët që janë të lidhur me bandat. Absolutisht ky institucion nuk do të ekzistojë. Si mund t’i japësh prokurorit kontrollin e gjykatësve tek i cili çon dosjet? Merr fund që këtu!”

Edi Rama e ironizoi duke i kujtuar Noc Rrokun, por Sali Berisha nga selia blu ku vijoi komunikimin me mediat u shpreh edhe më i vendosur për ta bërë reformën në drejtësi me ndërkombëtarët.

“Gjithnjë me Komisionin e Venecias. Amerika nuk heq dorë nga mbështetja, por do krijojë institucionet transparente, rigoroze. Edi Rama përdor Skapin, unë nuk e kam përdorur dhe nuk do e përdor kurrë drejtësinë.”

Një nga arsyet që Sali Berisha kërkon zhbërjen e SPAK-ut janë edhe dosjet e pazbardhura elektorale që tha se flenë në tryezat e prokurorëve, duke shigjetuar drejpërsëdrejti kreun e këtij institucioni.

“Dosjet e krimit të madh elektoral që përfshihen nga Edi Rama e poshtë, i mbyll Altin Dumani.”

Në SPAK u mor me Veliajn e të vëllanë, ndërsa nga Partia Demokratike përgjigje i ktheu edhe pretendimeve të Ajola Xoxës se ka shpenzuar 75 mijë Euro nga viti 2015 deri në 2025 për blerjet e saj.

“Vetëm në kasafortë, sipas burimeve të qarta janë gjetur 95 mijë Euro dhe një sasi e madhe Lekësh. Po kaq e rëndë është shpërdorimi që ka bërë kompania BYL-a, parave të taksapaguesve amerikanë dhe europianë. Janë bërë përpjekje se me fatura fiktive të justifikojnë grabitjen e parave. Prandaj Ajola Xoxa, Erion Veliaj, Edi Rama, Delina Fico, qoftë dhe Linda Rama, të gjihë ata që kanë marrë para nga fonde të taksapaguesve amerikanë dhe europianë duhet ti kthejnë sa më parë. Mos të mendojnë se mund të mbyllen çështjet.”

Në të njëjtën linjë me Apelin e dhënë në Tiranë nga arkitekti i fushatës së Donald Trumpit tha se ishin edhe mesazhet që Zv/Presidenti amerian bëri nga Mynihu, ndaj dhe në betejn me armikun e brendshëm ka vetëm një zgjidhje sipas tij.

“Prandaj pres nga kryetarët e forcave politike, drejtuesit, kryesitë e tyre të marrin vendime dhe t’i bashkohen një fronti të gjerë opozitar në betejën kundër këtij armiku.”

Armikun e tij e sheh kudo, jo vetëm brenda por edhe jashtë kufinjve, madje edhe në Kosovë, e cila në përvjetorin e saj të 17-të të Pavarësisë tha se i dha leksionin më të mirë.

“Kosova u përball këto vite me një tradhti të Tiranës zyrtare, bashkërendim të saj me Beogradin, përpjekje për destabilizim dhe të gjitha këto dështuan dhe faktikisht sot Kosova është frymëzim për të gjitha vendet e rajonit, për rritjen progresive të mirëqenies, për funksionimin e shtetit ligjor.”

Gjatë konferencës për mediat, kreu i demokratëve bëri publik emrin e Besim Ndregjonit, si kandidat për Avokatin e Popullit.

Tv Klan