Avokatët kërkojnë pavlefshmëri të “arrestit shtëpiak”

Gjykata e Posaçme e Apelit dëgjoi këtë të mërkurë argumentet e avokatëve të ish-kryeministri Sali Berisha, kundër vendimit të Shkallës së Parë që e mbylli atë në “Arrest shtëpie”.

Dy mbrojtësit e liderit të opozitës e konsiderojnë vendimin e dhënë në 30 Dhjetor si të paligjshëm dhe të marr në kushtet kur më parë duhej shqyrtuar kërkesa e tyre për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.

Për mediat, avokati Genc Gjokutaj, shprehu pakënaqësi edhe për vendimmarrjet e ndërmjetme të Apelit në seancën e kësaj të mërkure.

Genc Gjokutaj: Ne sot parashtruam të gjitha shkaqet, por gjykata e Apelit rrëzoi kërkesën për të administruar konstatimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për qenien tonë brenda afatit. Është shkelje e rëndë procedurale që sjell pavlefshmërinë e vendimit të GJKKO-së.

Në krahun tjetër prokurorët kërkuan në këtë seancë nga Apeli që të lerë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë dhe ish-kryeministri të qëndrojë në “Arrest shtëpie”, me të njëjtat argumente të faktit që nuk ka respektuar më herët vendimmarrjen e gjykatave dhe rëndesën e veprës penale.

Gjykata e Apelit do të dalë me vendim nesër, të enjten e 25 Janarit nëse do të lërë në fuqi masën e sigurisë apo do e lehtësojë atë.

Tv Klan