Ditën e sotme po zhvillohet një mocion diskutimi për rritjen e çmimeve dhe masat e marra për krizën energjetike dhe pasojat e luftës në Ukrainë.

Gjatë fjalës së tij, ish-Kryeministri Sali Berisha tha se qytetarët kanë parë ministrat që “vrapojnë nëpër dyqane për t’i gënjyer”. Po ashtu, Berisha akuzoi se spekulimet me çmimet janë të lidhura direkt me xhepat dhe llogaritë e pjesëtarëve të qeverisë. Ish-kryeministri tha se qeveria i shndërron fatkeqësitë në dramë.

“Hajduti ka vetëm reflektin e vjedhjes, nuk ka ndjenja. Po vijmë pak tek energjia. Lajmëtari i parë i rritjes së energjisë është vetë kreu i qeverisë. Nuk ndodh të bëhet zëdhënës i kompanive të naftës pa pasur vetë aksione. Jam dakord që tregu i naftës ka pësuar goditje, por në Shqipëri, nafta ka 4 taksa, 3 tarifa, dhe i paguhet qeverisë 1 Euro. Sot Italia hoqi akcizën.  12 vende të BE-së kanë ulur taksat e naftës. Edhe i kanë hequr disa. Ç’është kjo kokëfortësi e tmerrshme që nuk lëviz dot taksat unë”, tha Berisha.

Sipas liderit historik të demokratëve, Shqipëria ka energjinë me koston më të ulët në botë. Berisha hodhi akuza edhe ndaj KESH.

“KESH ka eksportuar në verë, ka zbrazur kaskadën në mënyrën më kriminale në kundërshtim me ligjet. 29 metër thellësi ka zbrazur kasakadën e ujit në Fierzë. Sa e ka shit? 40 Euro. Sa ishte në bursë? 130 Euro”, tha ai.

Po ashtu, Berisha u shpreh se edhe sa i përket çmimeve, qeveritarët e kanë mendjen tek paratë. Madje sipas tij, edhe gripi i pulave u mbajt i fshehtë nga qeveria.

“Ku kanë zemër këta. Këta kanë zemrën vetëm paranë. Së fundmi na sollën edhe gripin e pulave, duke shkelur çdo ligj përsëri sepse mbahej sekret qeveritar. Një sëmundje e cila duhet të deklarohet kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht sepse përbën problem jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin. Është deklaruar në Qershor 2021 për herë të parë. Po njerëzit? Duhet të mbahej e fshehtë, le të sëmureshin njerëzit, le të vriteshin nga epidemia e gripit të shpendëve, mjaftonte që të ruhej reputacioni i qeveritareve”, u shpreh Berisha.

Duke renditur të gjitha këto akuza ndaj qeverisë, në fund, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që kjo pranverë të jetë pranvera e protestave të mëdha.

“Pasuroheni natën mbi mjerimin e shqiptarëve. E mbyll këtë fjalë duke u bërë thirrje qytetarëve shqiptarë. Kjo pranverë duhet të jetë pranverë e protestave të mëdha”, përfundoi Berisha./tvklan.al