Kryeministri Berisha ka hedhur poshtë zërat për ndërtimin e një centrali bërthamor në zonën e liqenit të Shkodrës. Në një konferencë për shtyp, kreu i qeverise tha se kjo është një histori e trilluar nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama për ta paraqitur atë si një alternativë për fushatë elektorale.

Sali Berisha: “ Para 10 ditësh porosit një gazetë kroate për të cituar një trillim fund e krye dhe tani ndërton fushatën mbi trillimin  e botuar në një shkrim kroat të cilin e përgënjeshtroi dhe qeveria kroate. Çfarë kryetari opozite është ai që krijon trillime dhe i paraqet si alternativa dhe shkon në Shkodër thotë nuk do lejoj ndërtimin, Të kujt? Të hiçit. Edhe Bushatin e hoqën dhe e shndërruan në asht dhe e ulëm jo pak, ja ulëm rreth 40 gjer në 50 megavat kapacitetin. Vetëm për të ruajtur ekosistemin e Shkodrës. Çfarë do bëjë ky tan? Tani do ta transferojë në seancë centralin. Do të paguajë një gazetë në Korfuz dhe do të thotë që do të ndërtohet centrali në Sarandë dhe do të fillojnë demonstratat në Korfuz dhe në Sarandë kundër centralit. Mos u merrni me të . Jo. Është një konfuzion total, nuk mund të them gjë tjetër, fale zot për këto që bën sepse kjo është gjëja me e pakoncektueshme.” 

Numri një i qeverise iu përgjigj dhe interesit te medias lidhur me premtimin e bërë për inaugurimin e rrugës Durrës – Kukës përpara zgjedhjeve dhe fillimit të sezonit turistik.

Sali Berisha: “Dua tu siguroj që rruga Rrëshen-Kalimash inaugurohet para zgjedhjeve. Tuneli përfundon plotësisht dhe turistët kosovar që duan dhe i ftoj të vijnë sa më shumë me pushime në Shqipëri do kalojën në rrugën e re. Nuk po them sot u krye, por bashkërisht do themi u krye dhe ajo.”

Në këtë konferencë për shtyp, kreu i qeverise pasqyroi vizitën e tij disa ditore në Kinë, nga ku mori mbështetjen e presidentit dhe kryeministrit të këtij vendi për investime të korporatave kineze në sektorë të ndryshëm në Shqipëri.

Sali Berisha: “ Presidenti më premtoi se ai personalisht do të inkurajojë biznesin kinez të vij dhe investojë në Shqipëri. Kryeministri personalisht u angazhua për të kredituar projekte të caktuara në infrastrukturën e vendit. Ne do ulemi me palët e tyre, tu paraqesim projektet dhe qeveria kineze do t’i financojë ato me kredi të buta.”

Shefi i Ekzekutivit u shpreh se vizita në Kinë i shërbeu jo vetëm për të hapur një kapitull te ri mes dy vendeve, por dhe për të thyer një rekord: Atë te ngjitjes së një lideri në Murin Kinez, për te cilin u certifikua edhe nga autoritetet kineze./tvklan.al