Vendimin e mazhorancës për të miratuar në seancën parlamentare të ditës së hënë projektligjin e pastërtisë së figurave kryeministri Berisha e ka bërë sërish të ditur edhe para grupit parlamentar demokrat.

Sikundër deklaroi pasditen e të hënës në një konferencë të posaçme për shtyp kreu i qeverisë e ka cilësuar miratimin e ligjit si detyrim për të dënuar barbarizmat e komunizmit duke sqaruar në mënyrë të qartë se mazhoranca nuk bën hapa jashtë standardeve.

Sali Berisha: “Ligji natyrisht ka pasur reagime të ndryshme, por ligji është detyrimi madhor absolut i juaji. Jemi një vend demokratik dhe ne nuk bëjmë asnjë hap jashtë standardeve në mënyrë kategorike. I dëgjoni ju socialistët që flasin për mandat , cili është ai ligji … që parashikon mandatin mbi krimin. A mundet që mbi malin e kockave të dhjetëra mijëra shqiptarëve të qëndrojnë karriget e një grushti personash që kanë gjak në duart e tyre. Ka një kod etikë, ka një integritet që duhet të kesh për të mbajtur atë karrige.”

Berisha tha se miratimi i ligjit të lustracionit siç e quan ai është një rast i mirë për opozitën për të provuar të gjitha akuzat e bëra ndër vite në adre të tij, ministrave apo drejtuesve të larët të së djathtës qeverisëse.

Sali Berisha: “Shqiptarët janë dëshmitarë se duke filluar nga Edi Rama dhe tek zëdhënësit e tij muaj të tërë tregonin gishtin drejt ministrave, drejt deputetëve, drejt drejtuesve të PD-së dhe në mënyrën më amorale, kurse unë me qëllimin më të ,mirë e shtyja që të mund ta bënim bashkërisht po fundi fundit këto ligje nuk janë bërë bashkërisht. Të nderuar zotërinj opozitarë, urdhëroni votoni ligjin që u jep mundësi ju të faktoni çdo akuzë që keni bërë gjatë këtyre 3 vjetëve.”

Kreu i qeverisë ka folur në mbledhjen e grupit dhe për rritjen ekonomike në vend ku ka vlerësuar përfundimet më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, përfaqësia e të cilit në Tiranë ka certifikuar rezultatet e rritjes dyshifrore të publikuar javën e kaluar nga INSTAT.”/tvklan.al