Ish-kryeministri: Ai po përpiqet të fsheh vjedhjen e miliona eurove

Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se zhdukja e kontratës origjinale e sterilizimit është bërë me qëllim për të fshehur korrupsionin. Në një postim në “Facebook”, Berisha shkruan se kontrata është zhdukur nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj në mënyrë që të mos zbulohet vjedhja miliona eurove.

“Kriminel me mandat ministri, anëtarë qeverie si Beqaj, për të fshehur gjurmët e vjedhjeve të tij të tmerrshme, prej qindra milionë euro me koncesionet e tij, ka zhdukur origjinalin e kontratës së Sterilizimit. Zhdukja e origjinalit të kontratës së sterilizimit, por dhe kontratave të tjera nga kasaforta e ministrit, është një akt kriminal i shëmtuar, i ngjashëm me atë të një vrasësi, që për të fshehur vrasjen dhe zhdukur gjurmët e krimit të vet, djeg kufomën e viktimës së tij. Me zhdukjen e kontratës origjinale dhe zëvendësimin e saj me një kontratë të falsifikuar, Beqja kërkon të fsheh të gjitha klauzolat e kontratës, në të cilat është bazuar vjedhja e hapur e parave publike nga koncesionari i tij.”

Berisha thotë se përgjigjia ndaj korrupsionit ku sipas tij, është e përfshirë e gjithë qeveria “Rama” është revolta qytetare.

“Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, që të ngrihemi sot ose kurrë kundër kësaj organizate kriminale, që quhet qeveri dhe kryesohet nga Edi Rama dhe nuk ndalet para asnjë krimi për plaçkitjen e qytetarëve shqiptarë. Vetëm revolta qytetare e qëndrueshme gjerë në dëbimin nga pushteti të këtyre kriminelëve me mandat, është rruga e vetme e shpëtimit të çdo qytetari të ndershëm dhe Shqipërisë nga kthetrat e tyre.”

Berisha thekson qeveria nuk është përfshirë në korrupsion vetëm në dosjen e sterilizimit, por dhe në kontrata të tjera nëpërmjet të cilave janë vjedhur miliona euro nga buxheti i shtetit.

Klan News