Për herë të parë në këtë fushatë kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shfaq me një kapele në kokë që mbante edhe numrin 1 që koalicioni opozitar ka në fletën e votimit.

Gjatë një takimi me mbështetës dhe simpatizantë në Kamëz Berisha nuk i kurseu akuzat për kryeministrin Rama.

“Një fermer i thoshte mua të gjitha prodhimet m’u kalbën, por unë votoj për ty. Nuk kam asnjë fjalë të rëndë për të unë, jo. Përkundrazi e mirëkuptoj, ai është i indoktrinuar. Nuk e ka kuptuar mirë se ç’përfaqëson Edi Rama. Përfaqëson një njeri kallp, një mashtrues. Që nuk mban një premtim të vetëm nga viti 2013 gjer sot”, tha Berisha.

Një tjetër premtim të pambajtur tha se ishte çështja e legalizimeve në këtë zonë.

“Merrni Edi Ramën, sa ka prej jush pa u legalizuar. A e dini ju se ka ndërtuar shtëpinë në tokë të ndaluar, në kundërshtim me ligjin? Ka legalizuar shtëpinë e tij në kundërshtim me ligjin”, tha Berisha.

Përsëriti sfidën që ka për rivalin e tij për të dalë në një debat ballë përballë.

“Më lejoni pak t’i them atij burracakut 2 metra që fshihet dhe nuk del dot, pasi e keni kapur me presh në dorë duke vjedhur, nuk del dot të ballafaqohet para jush në televizion apo në skenë. Jo”, tha Berisha.

Më herët gjatë ditës, Berisha ishte në Krujë ku Ramën e bëri përgjegjës për situatën e rendit në vend, duke sjellë si shembull dy ngjarjet mafioze, atë në Lezhë e Tiranë.

“Njeriu që i ndërsen dhe u thotë hani kokën njëri-tjetrit, por më shërbeni mua, krijon këtë situatë”, tha Berisha.

Nga Kruja ku u takua me bizneset në tregun artizanal të këtij qyteti, Berisha ftoi qytetarët që të denoncojnë çdo person që tenton të bëjë presion mbi votën e tyre.

Pas gjuhës së zbutur të kryeministrit ndaj kreut të SPAK-ut, kryedemokrati tha se fshihet nisja e hetimeve ndaj Edi Ramës për tokën e marrë në kundërshtim me ligjin, ku ka ndërtuar banesën e tij në Surrel.

Në pazarin e Krujës ku artizanët e veshën me jelek e qeleshe, Berisha u zotua se brenda 100 ditëve të para të qeverisë së tij do të ketë lehtësi fiskale për biznesin e vogël.

Ajo që e surprizoi nuk ishte vetëm xhubleta e qeleshja, por edhe bufi që i dhuruan.

“Aaaa, simboli i mençurisë. E çmendi Edi Ramën”, tha Berisha.

Ndërsa gjatë takimit në një fasoneri Berisha u zotua t’i japë fund hemorragjisë së euros.

Tv Klan