Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e vijoi fushatën elektorale këtë të mërkurë në njësinë numër 5 në Tiranë. Para simpatizantëve të tij, kryedemokrati tha se kundërshtarët politikë të selisë blu janë armiq të egër të vlerave. Sipas tij, ata kanë frymëzim ekstremizmi të majtë dhe janë të gatshëm që për pushtetin të bëjnë gjithçka.

“PD vjen në këtë fushatë, vjen në këtë betejë realisht e provuar më e fuqishme se kurrë në ekzistencën e saj. Asaj iu imponuan në mënyrën më të padrejtë, më absurde nga ata të cilët janë armiq të egër të vlerave, nga ata të cilët janë armiqtë më të egër tanët, të qenies tonë, të qenies së kombit tonë, të dinjitetit tonë. Ata që kanë frymëzim ekstremizmi të majtë, ata që për karrigen dhe pushtetin e tyre janë gati të bëjnë gjithçka, të mbulojnë Shqipërinë me drogë, helme dhe çdo gjë”, tha Berisha.

Kryetari i PD-së hodhi akuza ndaj qeverisë së Ramës duke u shprehur se “vjedhin në mënyrën më të papërmbajtur”.

“Asnjë komb nuk ka pësuar në asnjë luftë, civile, botërore apo rajonale, atë që pësuam ne nga ky regjim”, tha Berisha./tvklan.al