Nën shembullin e Presidentit Amerikan Donald Trump edhe Sali Berisha paralajmëroi shpalljen si terroristë ndërkombëtarë të cilitdo që tenton të blejë vota në zgjedhjet e 11 Majit.

“Grupet kriminale në gërshërë të ligjit do u pritet çdo fije me politikën dhe do vendosen para ligjit. Sot nga Vlora paralajmëroj çdo bandit, kudo që ndodhet se po u implikuat me vota do të cilësoheni grupe terroriste, shqiptare e ndërkombëtare.”

Nga Vlora ku prezantoi kandidatët e Koalicionit për Shqipërinë Madhështore, Berisha hodhi akuza në adresë të kryeministrit për lidhje me mafien e plehrave edhe në qytetin bregdetar.

Edi Rama nuk lë dalje pa i kujtuar “non gratën” dhe se ndryshe nga ai mund ta kalojë oqeanin kur të dojë, por Sali Berisha i’u kundërpërgjigj në një dalje për mediat me dosjen “McGonigal”.

“I them dy fjalë se Antony Blinken sot është non grata në vendin e tij dhe uroj të paraqitet para drejtësisë amerikane. Nëse Blinken bëri një vizitë blic në Shqipëri, i paguar apo jo për t’i mbuluar skandalin e tmerrshëm McGonigal, kazani po zien, ai skandal nuk mbyllet kurrë”.


Kryeministrin e fton të ndjekë modelin e Presidentit Trump dhe të mos fshihet pas dritareve virtuale me komentues të sajuar prej tij.

“Me këtë qëndrim anti-transparencë, anti-media, nuk ia vlen ta konsiderosh për asgjë. Unë dhe ai dhe çdo politikan kemi detyrim elementar ndaj qytetarëve shqiptarë të paraqitemi para gazetarëve. Pardje lexova një artikull, presidenti Donald Trump ishte paraqitur para gazetarëve dhe kishte komunikuar me gazetarët, në këtë hark kohor nga 20 janari gjer tani, 20 herë më shumë se pasardhësi i tij në 4 vite.”

Më herët nga tregu industrial, Berisha premtoi brenda 100 ditëve të para të qeverisë së tij aministi fiskale për biznesin e vogël.

“Çdo gjobë e vendosur mbi biznesin e vogël do të amnistohet. Tavani për taksat të rritet nga 140 mijë euro që është sot në 180 mijë euro.”

Ulja e çmimit të energjisë dhe ajo e ujit janë të tjera masa që tha se do të ndërrmarë për të rimëkëmbur këtë sektor.

“Për biznesin e vogël do ulim çmimin e energjisë nga 18 në 6 lekë. E kemi pasur 6, në 6 do zbresim pak.”

Një tjetër zotim ishte edhe ai i përgjysmimit me ligj të tarifës së vendosur nga bashkia për hapësirën publike.

“Do zbresë nga 1500 lekë që është sot metri katror, do zbresë në 120 lekë sa ka qenë.”

Për ta kthyer në realitet programin e tij qeverisë, Berisha këkroi votën e biznesit të vogël në 11 Maj.

 “U ftoj që më 11 Maj të votoni këtë program se u garantoj se do zbatohet pikë për pikë siç është paraqitur.”

Tv Klan