Koordinim me opozitat në rajon kundër “Ballkanit të Hapur”

Ndonëse Edi Rama ia tha prerë se nuk do të lejohet që opozita të protestojë në 6 Dhjetor për shkak të masave të sigurisë për samitin e liderëve të BE-së, Sali Berisha e paralajmëroi të mos provokojë qytetarët, pasi nuk ka ndërmend të zmbrapset nga tubimi përpara Bulevardit “Dëshmorët e Kombit.”

“Kishte nxjerrë mbrëmë blindat në rrugë. Prisni kur të thotë ma kërkuan europianët. Të gjitha gënjeshtra. Europianët kërkojnë të respektohen të drejtat e qytetarëve. Të gjitha kërkojnë siguri, por jo karnevalsiguri. Edi Rama kërkon përballje. Ne do të përpiqemi ta shmangim atë ditë, por mund t’ia rezervojmë kur të dojë”.

Në vëmendje kryeministrit i solli protestat që arrijnë deri në mosbindje civile në shumë prej vendeve demokratike ku bahen samite të ngjashme.

“Europianët i qëllojnë politikanët me veze, me miell, me bojë kur janë në takime e samite, por kjo nuk ndodh në Korenë e Veriut, në Kubë, Egjipt, Arabi Saudie, Kinë apo gjetkë”.

Në 6 Dhjetor tha se opozita do të protestojë për të drejtat e dhunuara sipas tij në 9 vite qeverisje të Ramës, duke garantuar liderët europianë se nuk do u cenohet siguria.

“Imazhin e vendit e prish keqqeverisja, krimi dhe korrupsioni i Edi Ramës dhe qeverisë së tij”.

I njohur si kundërshtar i nismës së “Ballkanit të Hapur,” të iniciuar nga kryeministri Rama, Berisha paralajmëroi se në koordinim me opozitën e vendeve të rajonit do të protestohet.

“Nëse do të tentojë të mblidhet, do ketë protestat më të fuqishme”.

Kreun e qeverisë e akuzoi se së bashku me familjarë të tij dhe shtetasin Amant Josifi qëndrojnë pas vjedhjes 2.2 miliardë euro me kriptomonedha që i është bërë qytetarëve europianë.

“Edi Rama ka qenë ortak me Amant Josifini. Amantin e njoftuan dhe ia mbathi. Disa burime më thonë se ka shkuar në Dubai”.

Përsa u përket zhvillimeve në Partine Demokratike, Berisha dënoi përplasjen e ndodhur në Degën e Kurbinit duke garantuar një proces transparent në garën për primaret që do të mbahen në 4 Dhjetor, teksa hodhi poshtë çdo pretendim për kandidatë të paracaktuar në zgjedhjet për Tiranën.

“Këtë nuk mund ta them sepse nuk e di, do e tregojë dita e diel”.

Berisha gjithashtu se do të publikojë fakte të reja ndaj ambasadorit britanik, duke e akuzuar se ka mashtruar qeverinë e tij.

Tv Klan