Berisha: Kuvendi Kombëtar do të mblidhet më 11 Dhjetor




Berisha: Kuvendi Kombëtar do të mblidhet më 11 Dhjetor

19:13 15/11/2021

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në një konferencë se mbledhja e Kryesisë së PD është “fake” pasi është emëruar nga Lulzim Basha, ose siç e quan Berisha “peng-kryetari”.

Deklaratat e Berishës u kryen pas propozimit të Bashës që mbledhja e Kuvendit Kombëtar të thirret me 18 Dhjetor dhe jo më 11 Dhjetor siç ka paralajmëruar lideri historik i PD.

Berisha garantoi firmëtarët “se nuk do të ketë asnjë forcë dhe asgjë që mund të nëpërkëmbë firmat e tyre dhe se Kuvendi i PD do të mblidhet datën e shpallur prej tyre”.

“5 ditë pas dorëzimit të 4200 firmave, peng kryetari i PD mbledh kryesinë falso, apo fake të kësaj –partie, e cila në masën 60 përqind të saj, është zgjedhur në dhunim flagrant të statutit të partisë, pra jo me votën e fshehtë të këshillit tonë kombëtar, por emëruar nga peng kryetari i partisë siç donte ai dhe njofton datën që jep pengu i tij Edi Rama për Kuvend të PD 18 Dhjetor. Me këtë rast, unë dua të garantoj të gjithë firmëtarët e këtij misioni historik firmat e të cilëve do të gdhenden në muralin e pluralizmit politik shqiptar, por dhe të PD se nuk do ketë kurrë asnjë forcë, dhe asgjë që mund të nëpërkëmbë firmat e tyre dhe se kuvendi i PD do të mblidhet datën e shpallur prej tyre dhe se ai Kuvend do të mblidhet jo sipas rendit të ditës të peng kryetari por sipas rendit të ditës që ata kanë firmosur në formularin e tyre”, tha Berisha.

Berisha-Bashës: Je i ftuar në Kuvendin e 11 Dhjetorit

I sigurtë në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 11 Dhjetor, ish-kryeministri Sali Berisha ka ftuar Lulzim Bashën që të bëhet pjesë e tij si anëtarë i barabartë me të gjithë demokratët.

Gjatë një konference për shtyp, Berisha tha se “Peng kryetarit nuk kam më një mesazh të veçantë se ai komandohet, por i them, më 11 Dhjetor, je i ftuar të vish në Kuvendin e PD. Cilido që hyn në atë Kuvend hyn strikt si anëtar i barabartë me të gjithë të tjerët, sikundër e njoftoj peng-Bashën se data 11 është vetëm data e fillimit të Kuvendit. Kuvendi vazhdon veprimtarinë deri me rivendosjen e plotë të poluralizmit politk në Shqipëri”.

Berisha pati paralajmërim edhe për kryeministrin Edi Rama.

“Prandaj mos mendo Edvin se duke vjedhur data do mund ti dalësh para këtij Kuvendi. I vini gishtin kokës se ata që kanë vënë firmën aty nuk do pranojnë kurrë tu ndryshojnë dhe një gërmë nga axhenda që kanë përcaktuar. Frika është e juaja, ju keni frikë dhe tmerr se u keni kaq shumë borxhe këtyre qytetarëve, sa keni humbur arsyen dhe silleni në këtë mënyrë, ndaj dhe vazhdoni ju marrëveshjet dhe bashkëpunimin, por Kuvendi Kombëtar i demokratëve të cilën e mbledhim për herë të parë në histori me firmat e anëtarësisë”, tha Berisha.

Berisha: Thirrja e Bashës për Kuvend më 18 Dhjetor, banale dhe qesharake

Sali Berisha thirrjen e Kuvendit nga Lulzim Basha me datë 18 Dhjetor e quan “një përpjekje banale, qesharake të pabesë, e të pa shpresë”. Berisha zhvilloi një konferencë për shtyp ku tha se anëtarësia e PD po i përmbahet statutit të saj, ndërsa Basha ka frikë.

“Ajo çka po bën anëtarësia e PD po i përmbahet me rigorozitetin më të madh statutit të saj. Është problem se mendësia e pengut frika dhe tmerri gjer në palcë që u ka hyrë i shtyn në qëndrime absurde, në deklarata të shpëlara, në verbëri të plotë politike, asgjë s’ka ndarëse këtu, kuvendi mbahet me 11. Nuk janë delegatët që provokuan se ju e keni parë zemërimin që shpërtheu në Shtator, por pas atij zemërimi delegatët vendosën të flasin me firmën. Përpjekja e Lulzim Bashës është banale, qesharake, mund ti vesh çdo epitet, e pabesë, e pashpresë. Të gjitha llojet e epiteteve mund t’i vihen asaj”, tha Berisha.

Sali Berisha dakord me propozimin e Palokës: Secila palë të caktojë një përfaqësues për verifikimin e firmave

Sali Berisha është dakord me propozimin e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka që të dyja palët të zgjedhin një përfaqësues dhe të verifikojnë formularët e dorëzuar tek ai për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Sipas ish-kryeministrit, Lulzim Basha nuk e pranon këtë pasi është i tmerruar.

“Kryetari i Këshillit Kombëtar Edi Paloka propozoi një kompromis, që secila palë të caktojë një përfaqësues, të ulen në zyrën e Palokës dhe të verifikojnë çdo formular. Unë deklaroj para jush unë pranoj plotësisht propozimin e Palokës dhe emrin që ai ka përzgjedhur. Po ju thotë mendja ju se e pranon Lulzim Basha? Ata janë të tmerruar. Futja e formularëve në seli i ka shfazuar. Asgjë, askush nuk mund të lëvizë qoftë dhe një germë të vetme të rendit të ditës të përcaktuar nga anëtarësia. Ky proces dëshmoi se sa larg, sa shumë ishin larguar nga baza nga njerëzit, që kanë derdhur dhe derdhin lumenj djerse. Ndaj dhe revolucionin paqësor do t’u japë secilit vendin e tij”, tha Berisha.

Më herët, Paloka propozoi dy emra për secilën palë që mund të verifikojnë emrat që kanë firmosur që Kuvendi Kombëtar të mblidhet më 11 Dhjetor.

“Unë do i propozoja palëve të caktonin nga një person që mund të ishin për njërën palë personi që merrej me problemet e zgjedhjeve, për njërën palë Ivi Kaso, e nga ana tjetër mund të ishte Minarolli që merret me këtë çështje në sekretariat. Le të vijnë të ulen nga një përfaqësues të marrin fletët dhe të verifikojnë. Nëse thonë nuk duam, i bie që nuk duan. Nëse janë mbledhur 4.200 firma të delegatëve dhe thuhet nuk e njoh Kuvendin, këtu nuk ka fjalë për komente”, tha Paloka më herët gjatë ditës.

Pse ka munguar në parlament? Si përgjigjet Berisha

Në konferencën për shtyp me gazetarët, Sali Berisha shpjegoi përse kishte munguar këto kohë në Kuvend. Ish-Kryeministri nuk la pa ironizuar edhe replikat mes Ramës dhe Bashës, gjatë seancave plenare.

“E vërtetë, kam munguar dhe do shkoj pa asnjë diskutim, po jam përqendruar totalisht në këtë mrekulli shqiptare e cila më ka mahnitur dhe më kë tërhequr në të gjithë qenien time. Por kjo nuk do të thotë që nuk do shkoj shpejt në parlament dhe nuk do mbroj të drejtat e qytetarëve shqiptar ndaj narkoshtetit. E vërteta është që në një farë mënyrë, Foltorja, krahasuar me polemikat vulgare të pengmarrësit dhe pengut të tij është disa herë më eprore dhe më tërheqëse jo vetëm për mua, por edhe për qytetarët, kjo nuk do thotë se unë nuk do shkoj në parlament”.

Berisha: Po të mos ishte për “Foltoren”, Basha do rrinte 80 vjet në opozitë

Sali Berisha thotë se nëse nuk do të ishte për “Foltoren”, Lulzim Basha do të kishte qëndruar “nja 80 vjet në opozitë”.

“Pengkryetarit i them se shitja që i ke bërë shpirtit tënd është vepër e jotja, jo e demokratëve. Nuk janë demokratët që kanë ndërtuar dosjen e pengmarrjes tënde. I them se ke që nga Shtatori dhe gjer sot je i mbyllur brenda 4 mureve. S’ke takuar dhe as nuk takon dot qytetarë pa parti sepse nuk është kollaj që këta të fundit t’i japin dorën një të pabesi. Nuk është kollaj që ata të parët të ulen dhe te bisedojnë me njeri. Po të mos ishte “Foltorja” e demokratëve do të preferonte të rrinte nja 80 vjet në opozitë”, tha Berisha./tvklan.al













Të ngjashme