“Presidenti po mbron Kushtetutën”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi mesditën e kësaj të mërkure në zyrën e tij një takim me ish-Presidentin Sali Berisha.

Në dalje, Berisha deklaroi për mediat se në fokus të takimit ishte kriza e krijuar pas ngërçit në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, Edi Rama kërkon të kapë të gjithë sistemin e drejtësisë.

Berisha e konsideroi kreun e KED, Ardian Dvorani, si militant i cili shkon në mbledhjet partiake të PS-së.

“Cilido që ka dyshimin më të vogël i rikujtoj se KLP e sotme, kryesohet nga një individ, kunati i Radar Ndrikullës, i cili është aty në kundërshtim me Kushtetutën. Është aty vetëm për t’i shërbyer si skllav Edi Ramës. I bëj vetëm një pyetje shqiptarëve dhe të huajve: A mund të thoni në 320 gjykatës, cili në historinë 30-vjeçare të këtij vendi ka shkelur në mbledhje partiake? Ai është vetëm një, mafiozi Ardian Dvorani, në mbledhjet e PS. Ky gjykatës militant… Është bllokuar reforma dy vite me radhë dhe integrimi se kush voton një vend që nuk ka Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese.

Ata që i vranë këtij vendi Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë e lanë vendin pa shtet ligjor. E mbajtën peng për dy vite me radhë, gjersa nxorrën Dvoranin në krye. Është kjo kapje apo jo? Çfarë reforme është kjo kur Kushtetuta përcakton se çdo kandidaturë për Gjykatë Kushtetuese do të mbushet duke patur 3 kandidatura. Duke i dhënë mundësi zgjedhjeje qoftë ligjvënësve, qoftë Presidentit”, tha Berisha.

Sipas tij, Presidenti Meta po bën gjithçka për të mbrojtur Kushtetutën.

“Unë mendoj se Presidenti i Republikës po mbron Kushtetutën, kushtetutshmërinë dhe reformën që faktikisht është e falimentuar gjer tani me kapjen e KED, KLP. Reforma ka përfunduar e tëra e kapur nga mafia e Edi Ramës”, tha Berisha.

Një ditë më parë Meta takoi edhe ish-Presidentin Rexhep Mejdani. Meta tha se kishte diskutuar me të për zhvillimet e fundit dhe rëndësinë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike dhe institucionale./tvklan.al