Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kreun e qeverisë se ka arritur një marrëveshje pazar për detin me Athinën, duke i falur Greqisë fushat e pasura me naftë e gaz që sipas tij kanë qenë brenda kufirit detar të Shqipërisë.

“Kjo është marrëveshje që bëhet strikt pazar. Në mënyrë të turpshme anuloi një marrëveshje për të bërë një pazar në të cilin i dha tani Greqisë të gjithë zonën e naftës e gazit, më të madhen në Jon e Mesdhe dhe nga 6 milje i dha 12 milje”.

Në emisionin “Byro politike ” te gazetares Juli Xhokaxhi në Abc News, Berisha paralajmëroi se opozita nuk do e lejojë kalimin e kësaj marrvëveshjeje, ndërsa tha se pakti i detit i arritur me Greqinë gjatë qeverisjes së tij u godit nga një palë e tretë në Kushtetuese për llogari të Ramës.

“Kam denoncuar vendimin si korruptiv për interes të palës së tretë. Pala e tretë është ajo që e bëri synet në topkapi Edi Ramën. Në mënyrë absolute ajo marrëveshje nuk kalon. Rama ta ketë të qartë të mos luajë me territorin e vendit se në mënyrë absolute çdo mjet do përdoret për mbrojtjen e tij dhe do përdoret në radhë të parë kundër Ramës”.

I pyetur në lidhje me hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, ish-kryeministri për hërë të parë deklaroi se çështja “Tahiri” është një kusht i vënë për Shqipërinë.

“Tahiri kusht per negociata. Na e kanë thënë disa që ne e kemi kusht kryesor për hapjen e negociatave, Saimir Tahirin. Akti i ekstradimit të Nezar Seitit është dy herë më i rëndë sesa bllokimi i drejtësisë për Saimir Tahirin sepse ai po bëhej i penduar dhe dinte gjithçka se ishte njeriu i parave të bandës dhe me urdhër të Tahirit e morën”.

Një tjetër skandal, tha Berisha, është ai me kompaninë ARMO, teksa tregoi mekanizmin që sipas tij është përdorur për një vjedhje kolosale.

“Rama toleroi se e mori Besoja i Ramës me qira, Sula çonte naftën në ARMO, e rafinonte dhe koston ia paguante ARMO dhe jo ndërmarrja e tij”.

Ish-kryeministri Berisha foli edhe për protetsën e 27 janarit, fryma e së cilës ai thotë se duhet të vijojë deri në largimin e Kryeministrit Rama.

I pyetur në lidhje me zhvillimet në selinë blu, ish-lideri i demokratëve e cilësoi jetike për të ardhmen e Partisë Demokratike procesin e bashkimit të kontributeve, atë të bashkëpunëtorët që ai i cilësoi të çmuar në qeverisjen e tij dhe deputetëve të larguar nga kryetari aktual i demokratëve Basha.

Tv Klan