“Nuk është marrë plotëfuqia nga Presidenti”
Si ish-kryeministër që ka pasur eksperienca me marrëveshjet ndërkombëtare, një prej të cilat ajo e detit me Greqinë që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, Sali Berisha siguron se marrëveshja që Edi Rama firmosi me Melonin për të krijuar një kamp azilantësh, është si në frymë, dhe në germë në shkelje me Kushtetutën.
“Të lexoni ligjin e marrëveshjeve, kapitullin e plotëfuqisë. Ky ligj, i hartuar mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është i drejtë. Edi Rama e ka shmangur totalisht Presidentin e Republikës.”
Kreu i demokrateve e cilëson provokim nga ana e deputetit Çollaku rreshtimin në kahun e shumicës, kur opozita është duke protestuar për të mbrojtur të drejtat e të gjithë ligjvënësve.
“Çdo deputet që i provokon ata në protestë është provokator i ulët.”
Berisha dënon trajtimin çnjerëzor të fëmijës 3-vjeçare nga edukatorja, rast i denoncuar nga emisioni “Stop”, por të gjithë fenomenin përfshirë dhe atë mos kryerjes së hetime nga policia e cilëson pasojë të një sistemi korruptiv të drejtuar nga kryeministri.
“Vërtetë polici ka shkelur kodin dhe moralin. Ta krahasosh me aktin e Edi Ramës, ngjet si një grimcë mikroskopike.”
Demokratët kanë vendosur të mbledhin Kuvendin Kombëtar në 2 Dhjetor ku do të votëbesohet Sali Berisha si kryetar i partisë, por do të vendosin dhe për aksionin opozitar që do të ndjekin pas situatës bllokuese në Parlament që deri më tani nuk ka asnjë reagim nga ana e shumicës.
Tv Klan