Në konferencën e përjavshme me gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha shprehet i bindur se McGonigal do të dorëzohet në orën 20:00 me orën lokale teksa shton se së bashku me të dhe kryeministri i vendit Edi Rama.

Berisha është shprehur se ish-zyrtari i FBI-së ka pranuar fajësinë për dosjen shqiptare dhe ka thënë se kryeministri Rama është fajtor si i përfshirë në dosjen “McGonigal”.

Sali Berisha: Lajm është sot, McGonigal ka pranuar fajësinë për dosjen shqiptare. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se Edi Rama është fajtor. Se e kanë të ndarë përgjysëm, njëri ka dhënë ryshfet, tjetri ka marrë ryshfet. Njëri ka kërkuar licencës, tjetri ka hequr licencë. Njëri ka kërkuar shërbime kundër opozitës, tjetri ka manipuluar dosjen. Pra, faktet janë përvëluese për Edi Ramën dhe në mos gabohem, sot në ora tetë të darkës me orën tonë dhe orën 2 me orën e Uashingtonit, McGonigal dorëzohet. Së bashku me të, edhe Edi Rama. Ky është zhvillimi dhe kjo është një histori, e cila ka një aspekt tmerrësisht poshtërues për Shqipërinë. Aspekti poshtërues për Shqipërinë është se edhe pse Edi Rama, Dorian Duçka, Agron Neza janë nën hetim, Gjiknuri, kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi, këta janë të gjithë në hetim dhe në Shqipëri nuk guxohet me hapë një hetim. A nuk është ky mohim total i shtetit? Në cilin vend të botës ndodhin këto? Unë u them vetëm kaq, licenca e hequr një kompania mikse, austriake, ruse, do i kushtojë Shqipërisë deri në 300 milionë euro gjobë. Dhe kujt iu dha? Një kompanie të miërëfilltë të Gazpromit, që thuhet se është Deripaska pas saj. Pra, për të gjitha këto, prokuroria shqiptare është zero. Nuk guxon të nisë qoftë edhe një hetim. Dhe kërkesën për këtë e ka refuzuar. Ne përsëri do e dërgojmë. Ne kërkuam krijimin e komisionit hetimor parlamentar. Ne do e dërgojmë në SPKA çështjen. Por, çdo gjë që ka lidhje me Edi Ramën, bllokohet dhe hidhet poshtë.

Për kryesimin e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit nga ana e kryeministrit Rama, kryedemokrati Berisha ka thënë se ishte hera e parë që kryesohet nga një delinkuent nën hetim ndërkombëtar.

Sali Berisha:Këshilli i Sigurimit është një organ që ndërtohet nga pesë anëtarë përmanentë dhe të tjerë, 10 të përkohshëm 2-vjeçarë. Shqipëria, një nga vendet më të hershme në lidhjen e kombeve, nuk e mori sipas arkivës së OKB-së, asnjëherë vendin në Këshillin e Sigurimit. Shkak kryesor, diktatura e Enver Hoxhës. Në vitin 2007, Shqipëria aplikoi për të zënë me rotacion, vendin si anëtar i përkohshëm i Këshillit të Sigurimit dhe kjo u miratua pa kontestim. Natyrisht, grupet miratojnë me lobim, por pa garë.  Kështu që Shqipëria u zgjodh në vitin 2007 dhe më në fund erdhi momenti i shumëpritur dhe në 1 janar 2022, Shqipëria, Gaboni, Gana dhe një vend tjetër, zgjidhen anëtarë të përkohshëm të Këshillit të Sigurimit. Problemi është se ne u bëmë vendi i parë në historinë e atij institucioni, që të kryesohet ajo mbledhje nga një person delinkuent, në hetim ndërkombëtar. Në vitin 2007, kur ndodhi ky event, isha në OKB në takimin e Asamblesë së Përgjithshme dhe vendosa të marr pjesë në një seancë si spektator. Seancën e kryesonte koloneli Muamer Gadafi. Ai ishte njeriu, në mos gaboj i tretë pas Kastros dhe Ahmedinaxhadit që si të çmendur flisnin 2-3 orë dhe nuk e lëshonin platformën. Edi Rama, fatmirësisht kësaj here nuk foli sepse kishte rekordet e Lukashenkos. Se pas këtyre të treve, i katërti vinte Lukashenko.  Edhe ai fillonte dhe nuk dinte kur mbaronte. Por analogjia është analogji. I vetmi përfaqësues në planet, që kisha parë, të merrte djalin e vet të vogël, ishte Lukashenko. A thu se të tjerët nuk kishin fëmijë. Edi Rama bëhet i dyti pas Lukashenkos që shkon në asamble bashkë me djalin në shkollë fillore. I ngjasin diktatorët njëri-tjetrit, por Lukashenko nuk ishte nën hetim atëherë. Rama është në hetim të plotë./tvklan.al