“Më 11 Dhjetor rithemelojmë PD-në dhe rikthejmë opozitën e vërtetë”

Qindra qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu bashkuan Foltores online të ish-Kryeministrit Sali Berisha.

Ndërsa i falenderoi pjesmarrësit në këtë takim për mbështetjen që i kanë dhënë Foltores, ish-Kryeministri i siguroi ata se Kuvendi i 11 Dhjetorit do të sjellë rithemelimin e Partisë Demokratike.

“Jemi në rrugën e duhur, më 11 Dhjetor ne rithemelojmë de facto Partinë Demokratike, e cila u largua nga këto vlera”.

Më tej ai theksoi se kjo lëvizje do t’i japë vendit një opozitë të vërtetë e cila lufton për votën e lirë dhe rikthimin e demokracisë në vend.

“Kjo lëvizje e cila synon t’i japë vendit para së gjithash një opozitë të vërtetë, një opozitë që të qëndrojë fuqishëm ndaj regjimit, një opozitë që të ngjallë shpresë dhe besim te qytetarët shqiptarë. Të ç’montojë narkoshtetin, të rikthejë në Shqipëri ligjin, vlerat konservatore”.

Edhe gjatë kësaj Foltoreje të veçantë, ai nuk i kurseu akuzat ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, si i përfshirë në afera korruptive dhe kriminale.

“Edi Rama ia doli të marrë peng opozitën në krimin më të shëmtuar politik të kohërave, ia doli ta shndërrojë atë në fasadë për shkak se kryetari i saj që kalon nga njëra disfatë në disfatë ia lejoi të përfshihet në ato afera”.

Duke i kujtuar edhe njëherë Bashës se ka shkatërruar çdo vlerë demokratike brenda partisë, theksoi se askush nuk mund të ndalë më tani këtë lëvizje që ai e cilësoi si revolucion paqësor.

Tv Klan