Pas premtimit të Edi Ramës se vota në 11 Maj për Partinë Socialiste do të mundësojë marrjen e pasaportës europiane për shqiptarët, Sali Berisha sheh mashtrimin e rradhës së kryeministrit. Premton se integrimi i bazuar në meritë do të jetë orientimi i tij pas ardhjes në pushtet.

“Me Edi Ramën nuk ka integrim. Me Edi Ramën ka mashtrim, mashtrim dhe vetëm mashtrim. Shiko ku e ka mashtrimin, ai nuk thotë dot në vitin 2029, se e di që nuk do të ndodhë, sepse e di që nuk do ndodhë, e çon në vitin 2030 përtej mandatit që përpiqet të grabisë vetëm për të mashtruar shqiptarët”, shprehet Berisha.

Berisha denoncoi pagesën e bërë nga Bashkia e Tiranës prej 200 mijë Eurosh për kompaninën “5D”, duke akuzuar Kryeminsitrin si padrino të aferës së inceneratorëve.

“Erion Veliaj nga burgu, nuk ua kthente dot paratë, tani kryetar defakto i bashkisë është Rama. Tani del se ‘5D’ është kompani me padrino kryesor Edi Ramën”, thekson lideri demokrat.

Berisha rrëfeu se cili është ministri që sipas tij është kërcënuar nga Veliaj, pasi ky i fundit zbuloi se ishte përgjuar në qeli.

“Mesazhi është për Ulusiun, sepse shkoi i tha merre telefonin, i tha pije helmin, i dha helmin. Mirë ia bëri”, tha Berisha.

Kryedemokrati premtoi se pas ardhjes në pushtet do luftojë klientelizmin që tha se ka ndërtuar në tre mandate qeverisje Edi Rama.

“Vilma Nushi dhe Tom Doshi humbasin çdo licencë. Paralajmëroj të gjithë ata që do blejnë në fshatin Rama-Nushi, Nushi-Rama do u konfiskohen vilat”, thekson Berisha.

Edhe pas ftesës së Kryeministrit në adresë të dashnor Sulës, derën e partisë ia la sërisht hapur deputetit demokrat.

“Dashnor Sula është një eksponent i PD-së me investime reale në këtë parti dhe vendi i tij është në PD”, deklaron kreu i PD.

Nuk shfaqi aspak habi nga dialogu në distancë mes Ramës e Bashës, por u kujdes të bëjë edhe urimet e rastit.

“Atë që e kishin të fshehur e nxorën hapur. Se dashuritë janë me faza. Kanë fazën latente, e kanë fazën publike etj. Zoti ua shtoftë”, tha Berisha.

Tv Klan