“Qeveria vrau shpresën. Krijoi bindjen se Shqipëria nuk bëhet”

Kur mbeten edhe pak ditë nga mbajtja e protestës së 7 Korrikut, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e konsideron mision jetik për opozitën shpëtimin e Shqipërisë. Gjatë një takimi me Forumin Rinor të kësaj force, Berisha tha se rinia është në krye të këtij misioni dhe këtë do e tregojë edhe në protestën e së enjtes.

“Në qoftë se Partia Demokratike ka një mision së bashku me forcat e tjera opozitare shpëtimin e Shqipërisë në këto kohëra kritike për të, në krye të këtij misioni qëndron forumi rinor. Qëndrojnë të rinjtë opozitar të cilët si misionar të vërtetë do bëjnë gjithçka për të fituar mendjet dhe zemrat e të rinjve shqiptarë dhe pastaj qytetarëve shqiptarë që të bashkohemi në një lëvizje të madhe për ndryshimin e Shqipërisë”.

Për kreun e PD, protesta ka qëllim fitimin e lirive të qytetarëve dhe ndalimin e vjedhjes së fondeve publike.

“Duhet t’u rikthej lirinë shqiptarëve. Liritë  e vërteta shqiptarëve. Një vend mund të ketë pasuri të pafundme natyrore, por ai vend nëse nuk ka liritë e qytetarëve të tij ato pasuri shndërrohen jo në bekim, por përkundrazi shndërrohen ndonjëherë mallkim. Ju jeni dëshmitar dhe çfarë po ndodh gjatë këtyre viteve me pasuritë publike të shqiptarëve… Nuk ka njëri që të mos përmend skemën e vjedhjes së parave të shqiptarëve nga mafia Rama-Veliaj. Një treshe e tyre krijuan 24 shoqëri me qëllim lëshimin e faturave false për të vjedhur buxhetin e shtetit”.

Berisha akuzoi qeverinë se ka goditur më shumë se këdo, brezin e ri.

“Kanë arritur t’i vrasin shpresën. Kanë arritur t’u krijojnë bindjen se ky vend nuk bëhet. Nuk ka goditje më të madhe për Shqipërinë se mendimi i shqiptarëve se ky vend nuk bëhet. Ju jep opsion kanabisin, por sapo erdhi në pushtet bëri të pamundurën që të kishte sa më pak të diplomuar”.

Kreu i demokratëve tha se dalja në shesh në 7 Korrik është gjithashtu betejë për të dalë nga monizmi në rrafshin politik.

Tv Klan