Duke e cilësuar Reformën Zgjedhore si jetike për vendin, ish-Kryeministri Sali Berisha është i mendimin që ulja e opozitës jashtë parlamentare në një tavolinë me mazhorancën, tregoi se ajo vuri para interesin e Shqipërisë.

“Rrëzohej apo nuk rrëzohej Rama, kjo reformë ishte jetike, jo se kjo do të bëjë zgjedhjet e lira, absolutisht jo, por ishte jetike. Pse unë jam për të. Sepse raporti i fundit i ODIHR shkatërroi përfundimisht zgjedhjet, i asgjësoi zgjedhjet, me vërejtjet me sugjerimet, me kritikat. Atëherë nëse opozita, pas këtij raporti thoshte që unë nuk ulem, opozita së pari këtu nuk vinte interesat e Shqipërisë përpara. Edhe opozita nuk mund të mos verë interesat e Shqipërisë përpara. Opozita është vetëm për zgjedhjet. Përndryshe opozita tregon se nuk e ka Shqipërinë të parën”.

Nga studio e “Opinion”, Berisha tha se deri para dy muajsh Rama refuzonte që të ulej në një tryezë me opozitën, me të njëjtat kushte që u ulën.

“Absolutisht Edi Rama për herë të parë në jetën e tij e tha këtë para 1 muaji ose 2 muajsh. Sepse refuzonte, nëse ju kujtohet biles edhe në këtë studio e kam shprehur këtë. Absurditeti i tij qëndronte sepse refuzonte një formulë të tillë dhe deklaronte që unë Reformën Zgjedhore do ta bëj me opozitën që është, po të doni hajdeni, po të doni mos hajdeni”. /tvklan.al