Nga foltorja që po zhvillon me demokratët në Tropojë, ish-Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar një mesazh Presidentit serb, Aleksandër Vuçic.

Berisha i ka bërë thirrje që të mendohet shumë mirë para se të kalojë Ballkanin e Hapur në Tiranë. E sa i përket këtij projekti, Berisha thotë se ka për qëllim të ndajë Kosovën dhe të kthejë Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut në zona të hegjemonisë serbe.

Berisha shtoi ndër të tjera, se nëse Vuçiç do paqe e bashkëpunim duhet që të njohë më parë genocidin që Serbia ka ushtruar ndaj shqiptarëve.

“Miqtë e mi, Ballkani i Hapur është projekt armiqësor ndaj shqiptarëve. Ballkani i Hapur ka vetëm një qëllim, ndarjen e Kosovës, shndërrimin e Maqedonisë dhe Shqipërisë në zona absolute të hegjomonzimit serb. A do i pranojmë ne këto? Kurrën e kurrës. Ndaj nga kjo platformë do t’i çojmë një mesazh Sllobodanit të ri. Hiqe nga mendja se do të kalojë Ballkani i Hapur në Shqipëri me firmën e Edi Ramës. Mendohu mirë, mendohu shumë herë para se të mësysh Tiranën si mik i Edi Ramës, sepse një popull i tërë do jetë në rrugë kundër teje. Ne jemi dhe do të punojmë për marrëdhënie normale, por jo kurrë në kurriz të Kosovës.

Harroje se mund të prekësh Kosovën. Jemi një komb dhe vetëm një komb dhe kurrë më nuk do mund të prekësh një pjesë të territorit të saj. Në do paqe, miqësi, bashkëpunim në radhë të parë të njohësh gjenocidin ciklik që ke ushtruar ndaj shqiptarëve”, tha Berisha./tvklan.al