Lulzim Basha ka reaguar për arrestin shtëpiak në të cilin është vendosur ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.

Basha ka thënë se në rafshin personal i vjen keq që ka përfunduar këtu, teksa ka shtuar se megjithatë, secili bën zgjedhjet e veta në jetë dhe merr përgjegjësinë për këto veprime. 

Në rrafshin profesional, Basha ka thënë se PD dhe opozita duhet të ecin para, të mos shohin nga e shkuara por të mos shkelin mbi të.

 Pyetje: Cili është reagimi juaj lidhur me arrestimin e Berishës?

Lulzim Basha: Kam 2 reagime në rrafshin personal nuk më vjen mirë, por më vjen keq që një njeri me të cilin kam bashkëpunuar për një kohë të gjatë të përfundojë këtu. Por në fund secili bën zgjedhjen e vet në jetë dhe duhet të marrë përgjegjësinë për zgjedhjen që ka bërë. Kjo është njëra anë e kostos që sjellja e tij i solli të gjithëve, familjes tij, PD-së dhe vendit. Në rrafshin personal, keqardhje e thellë.

Nga ana tjetër, PD dhe opozita duhet të ecë para, jo të shkelë mbi të shkuarën, por të ecim përpara dhe përgjigja zyrtare është që në çdo rast, qëndrimi i PD është që drejtësia të bëjë punën e vet e papenguar dhe çdo politikan të jetë në funksion të drejtësisë, duke filluar dhe nga unë dhe për këtë arsye kam çuar në parlament propozimin për heqjen e imunitetit. Për këdo që të kërkohet heqja e imunitetit, ne do e votojmë në parlament.


Basha mesazh PS-së: Të mblidhet Komisioni i Reformës Zgjedhore, Rama përdori gjendjen e opozitës

Pas 4 muajsh, Lulzim Basha doli sot në një konferencë për shtyp me gazetarët ku vuri theksin se Reforma Zgjedhore dhe kërkoi mbledhjen e komisionit bipartizan.

Në fjalën e tij, Lulzim Basha i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste që të mbledhë komisionin sa më parë.

Ai akuzoi Kryeministrin duke i drejtuar një mesazh se ka përdorur gjendjen në të cilën ndodhet opozita prej disa vitesh.

Dje dëgjuam Kryeministrin e vendit që ju rikthye lojës së vjetër. Mesazhin e parë që kam i drejtohet atij. Për një kohë të gjatë ka përdorur gjendjen e opozitës dhe faktorë të veçantë të opozitës për t’i ikur përgjegjësive të shumta me të cilat ka lënë në baltë njerëzit. Kjo alibi nuk pi ujë. Ka një komision bipartizan. Është PD që udhëheq këtë proces. Ka tëë tjerë deputetë, ka përfaqësues të partive aleate.

Ne mbetemi të hapur nëse ka plotësime, propozime për plotësime. Paketa jonë, listat e hapur i shërbejnë gjithë qytetarëve. Votimi elektronik dhe numërimi elektronik po kështu është vërtetuar se adreson disa prej shqetësimeve kryesore që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor. Vota e diasporës.

Alibitë kanë rënë dhe sot disa ditë para nisjes së sesionit të ri të kuvendit, thirrja ime në emër të PD është Komisioni i Reformës Zgjedhore të nisë mënjeherë nga puna. Ky duhet të jetë viti ku të gjithë të bashkohemi për t’i dhënë shqiptarëve një shtet në shërbim të tyre dhe kjo nis me një reformë zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Komisioni duhet të fillojë nga puna një orë e më parë. I kërkoj sot PS të mbledhë komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore”, tha Lulzim Basha ndër të tjera.


Ku ishte 4 muaj? Basha: Kam qenë anembanë Shqipërisë për të lidhur telat e këputur

Lulzim Basha doli sot në një konferencë shtypi pas 4 muajsh mungesë dhe heshtje mediatike.

Por Basha thotë se e gjithë kjo kohë ka qenë intensive për të dhe Partinë Demokratike zyrtare, sipas të cilit, ai ka qenë në më shumë se 250 takime në të gjithë Shqipërinë, siç tha ai, për të lidhur “telat e këputur” të opozitës me qytetarët.

“Këto 4 muaj të fundit të vitit kanë qenë ndër më intensivet për mua si kryetar i PD dhe për PD për disa procese që kanë ecur paralelisht, si dhe një sërë angazhimesh të tjetra. Kam qenë në mbi 250 takime anembanë Shqipërisë për të lidhur telat e këputur, një telenovelë ku aktor kryesor, regjisor dhe teleshikues ishin vetë politikanët, vetë aktorët kryesorë të opozitës. Këto 4 muaj kanë shërbyer që PD të rindërtojë themelet e aktivitetit të vetë politik. Organizimi i saj, kontaktin me qytetarët, nisjen e procesit të ofertës tonë elektorale dhe iniciativat politike ku sot kam zgjedhur të veçoj reformën zgjedhore”.

Lulzim Basha thotë se refuzon të jetë pjesë e politikës që ai e konsideron “telenovelë 2-vjeçare”.

“Nuk kam qenë pjesë e telenovelës kush bërtet më shumë, kush tallet më shumë. Ne besojmë se për një kohë të gjatë aktorët kryesore janë investuar në një telenovelë e cila është larg problemeve të përditshme të njerëzve. Kanë 3 vjet që shohin telenovelë falas Edi Rama dhe shpura e tij. Do i bëjmë thirrje gjithë shqiptarëve ta fikin këtë telenovelë. Dy vjet janë boll”.


Situata në PD/ Basha: Fajin më të madh nuk ia vë Berishës, por atyre që bënë sikur shkuan tek ai

Për situatën në Partinë Demokratike, Lulzim Basha nuk bën totalisht me faj Sali Berishën, por bën edhe ata që iu bashkuan ish-kryeministrit. Gjatë fjalës së tij në konferencë me gazetarët, Basha është shprehur se e vetmja që e ka mbajtur peng për vitet e shkuara kur ka qenë në krah të tij, ka qenë mirënjohja ndaj Sali Berishës.

Pyetje: Njëra anë e PD-së drejtohet nga Sali Berisha, ndërsa pjesa tjetër drejtohet nga Lulzim Basha. A ndjeni përgjegjësi (gjithashtu edhe Berishës ja kam bërë këtë pyetje) si 2 persona që po e dëmtoni fort PD-në, jeni ju dhe ish-kryeministri duke i lënë mundësinë kryeministrit Ramës që në 2025-ën të qeverisë për 4 mandate radhazi?

Lulzim Basha: E kam dëgjuar këtë tezë. Është një tezë që qarkullon nga një i tretë pasi nuk njeh PD-në zyrtare, heq shenjën e barazimit, jo nuk ka barazim. Berisha ka zgjedhur rrugën e tij dhe ka pasur arsyet e tij të bëjë këtë zgjedhje. Për mua, zgjedhja ka qenë e gabuar për të, për familjen e tij dhe demokratët. Fajin më të madh nuk ia vë Berishës sepse e kuptoj që vendimi i tij është errësuar, por fajin më të madh e kanë ata të cilët bënë sikur shkuan tek Sali Berisha sepse iu digjte barku për të, por në fakt janë njerëzit që e kanë anatemuar prej vitesh me radhë dhe nuk kanë lënë gjë pa i thënë dhe ne e dimë që nuk kanë shkuar atje për Sali Berishën dhe as për demokratët, por për veten e tyre sepse besonin që ai stan kishte bulmet më të mirë.

Kanë shkuar për egoizëm dhe këto janë vendime të pafalshme që i paguajnë edhe sot demokratët. Sa kam punuar me Sali Berishën unë, nuk kanë punuar këta. Sa jam kujdesur në 8 vite për të ruajtur imazhin e tij, apo trashëgiminë e tij politike kur këta e përqeshin, por ishte një moment që duhej të zgjidhja mes mirënjohjes, e cila ka qenë e vetmja që kam qenë peng, mirënjohja ndaj tij dhe nevojës për të lëvizur përpara, për të shpëtuar shtëpinë e demokratëve. Po të mendoja për veten tme, sot nuk do të kishte PD zyrtare, do të ishte e pashpresë dhe e tretur, siç është e tretur Rithemelimi pas gabimeve që mori i pari i tij. Kujtdo që bën llogari personale, ju kujtoj fatin e tyre që bënë llogari personale dhe sot janë zhytur në sindromën e bixhozxhiut.


Tymueset në Parlament/ Basha: I shërbyen Edi Ramës, buxheti më i madh i Shqipërisë kaloi për 4 minuta

Protestat e opozitës në Parlament me tymuese, Lulzim Basha i konsideron si një mënyrë që i shërben Kryeministrit.

Në një konferencë për shtyp me gazetarët, Lulzim Basha tha se kjo mënyrë e të bërit opozitë nuk pengoi as kalimin e buxhetit, që në fakt mazhoranca e miratoi për 4 minuta.

“Opozitë nuk është ai që bërtet më fortë. Është ai që bën transparencën, tregon përgjegjësit dhe paraqet alternativën. A ka njeri që nuk e kupton se të pengosh me tymuese punimet e parlamentit i shërben Edi Ramës? Çfarë arrihet? U pengua buxheti? Jo! Buxheti më i madh në Shqipëri kaloi për 4 minuta. Jo vetëm që nuk i shërbente, por dëmtohet interesi publik. Prandaj dhe thirrja ime është të veprojë me këto 3 deviza të patjetërsueshme të konceptimit të opozitës”.

Lulzim Basha u shpreh se përballë Qeverisë Rama, 3 konceptet e të bërit opozitë duhet të jenë akoma më të forta.

“Përballë nuk kemi një qeverisje normale. E kuptoj këtë shumë mirë. Frustrimin me taktikat për të shmangur përgjegjësinë dhe për të devijuar debatin piublik. Por ne nuk duhet të ushqejmë këto alibi. Dhe duhet të angazhohemi edhe më fort në një situatë të tillë, nuk ka kohë më, është 2024. Shqiptarët nuk kanë kohë të shohin më shfaqje nga e cila i vetmi që ka përfituar është Edi Rama. Ndaj PD ka vendosur këtë axhendë politike e hapur për këdo të kontribuojë për reformën zgjedhore, listat e hapura, votimin elektronik, votën e diasporës”.


/tvklan.al