Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar një bashkëbisedim me shqiptarët në Diasporë përmes platformës online. Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së Berisha tha se Partia Socialiste pas zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës ka 99.9% të pushtetit.

Sali Berisha: Në bindjen time më të thellë, angazhimi i emigracionit për t’i dhënë një përgjigje kësaj situate realisht kritike në të cilën ndodhet vendi është i domosdoshëm por jo më pak e domosdoshme është gjithashtu njohja e rolit tuaj në zhvillimet e këtij vendi. De fakto, në rrafshin politik, emigracioni dhe diaspora janë të përjashtuarit e mëdhenj nga Shqipëria. Shqipëria nuk mbyll kufijtë si dikur, por ajo nuk ka lejuar votën tuaj. Nuk ka vendosur atë bashkëpunim të domosdoshëm për zhvillimin e saj dhe përparimin e shqiptarëve. Sot, ju sigurisht lexoni dhe ndiqni zhvillimet në vend por unë shumë shkurt dua të sjell në vëmendjen tuaj disa nga zhvillimet më dramatike të cilat e bëjnë kritike gjendjen në Shqipëri: E para, pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës, PS ka rikthyer në Shqipëri monizmin e plotë. Nga vitin 2013 në të cilën një mazhorancë kishte 48% të pushtetit në Shqipëri, në vitin 2020, mazhoranca arrin të ketë 91 % të pushtetit në Shqipëri, të ketë më shumë se ç’kishte Partia e Punës. Pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës, kjo përqindje shkon në 99.9 për qind. Në vitin 1991 kur Shqipëria hapi kufijtë, shqiptarët u dyndën nga deti, toka, ajri për të shpëtuar nga dhimbjet e tiranisë.

Berisha shtoi se kombi shqiptar është kthyer në një  vend që rrit fëmijë për emigracion, teksa shtoi se për herë të parë në vitin që kaloi në Shqipëri pati 3300 lindje më pak.

Sali Berisha: Nga viti 2007 e deri në 2014 pati lëvizje të popullatës, por në Shqipëri rritej çdo vit. Pas vitit 2014, pothuajse u rishfaqën eksodet e shqiptarëve, kësaj here për fatin më të keq të vendit, shtresa e mesme më së shumti. Viti që kaloi, në rafshin demografik është një kthesë dramatike sepse për herë të parë vendi pati 3300 lindje më pak se vdekje. Kombi sot është shndërruar në një komb që rrit fëmijë për emigracion./tvklan.al