Partia Demokratike që drejtohet nga Sali Berisha ju ka dhënë mbrëmjen e sotme dorën e fundit listave të kandidatëve dhe këshillave bashkiakë që do të garojnë në zgjedhjet vendore të 14 Majit në mbledhjen e Kryesisë.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha është shprehur se në bazë të mesatares elektorale, aleatët e tyre do të kenë vendet e tyre në Këshillat Bashkiakë.

Sali Berisha: Propozimet janë të shkëlqyera. Janë qytetare dhe qytetarë, demokrate e demokratë me kredenciale shumë të forta, shumë të lavdërueshme, dhe shpallja e listave të tyre është edhe një nxitje e madhe për fushatën. Defakto kandidaturat për këshilltarë do të jenë pjesë integrale e ekipit elektoral të kandidatit për kryetar bashkie dhe në këtë mënyrë, fushata hyn në një stad më të avancuar, më të lartë.

Natyrisht aleatët në bazë të mesatares së tyre elektorale, do të kenë vendet e tyre në listat e përbashkëta, por gjithnjë duke ndarë së bashku edhe rriskun edhe avantazhet. Listat janë negociuara me aleatët dhe në tërësi janë rënë dakord. Partia e Lirisë ka marrë 240 vende. PBDNJ-a 20 vende, PDK, 6 vende. Dhe pjesa tjetër i takon Partisë Demokratike.

Nuk është e vërtetë se asnjë nga këto forca t’i ketë marrë PD-së nga numri që ajo ka patur. Por alternimi është bërë dhe do të bëhet, sepse kanë patur përqindjet e tyre në këshilla. Duke e mbyllur këtë ekspoze dhe ftuar mediat që ne të vazhdojmë tani pa praninë e tyre formalizimin e listave sipas bashkive.

Berisha është shprehur se janë 5 mijë kandidatura të propozuara për anëtarë të Këshillave Bashkiakë.

Sali Berisha: Ndryshimi sjell shpresën. Pa shpresë, Shqipëria shkon në agoni dhe rruga e vetme për të sjellë shpresën është ndryshimi. Unë kam besim të madh se kjo po ndodh dhe do të ndodhë. Kjo mbledhje është thirrur për të formalizuar listat e dërguara nga degët për këshilltarë në 61 bashki të vendit. Unë në emrin tuaj dua të shpreh falënderimet më të përzemërta për rreth 5 mijë kandidatura, 5 mijë demokrate e demokratë, që kanë aplikuar për të qenë anëtarë të këshillave si përfaqësues të PD-së. Në këtë kontekst, duke falënderuar shumë përzemërsisht, kërkoj dhe mirëkuptimin e tyre se ka një kuotë të caktuar që ne mund të dorëzojmë dhe ka një kufizim të kuptueshëm në listat do të jenë të përbashkëta sipas pozicioneve me Partinë e Lirisë.

Në këtë koalicion është bërë e qartë që është marrë mesatarja elektorale për bazë dhe kjo është e ndershme plotësisht. Natyrisht, ka patur degë që kanë patur edhe 1300-1500 aplikime. Këto vetëm nderojnë PD-në, sikundër shtrojnë para nesh detyrën e përzgjedhjes së metodës më të përshtatshme për zgjedhjen e tyre.

Primaret në një listë me 130 kandidatë do të shohim se çfarë përgjigje do tu japim. Unë ç’është e vërteta po punoja me anëtarë kryesie për një sistem primaresh, por nuk kisha parashikuar se mund të ketë edhe 150,  130 aplikime në një degë, për arsye se përfaqësimi duhet të ketë disa proporcione, duhet të respektojë gjininë që e ka përcaktuar ligji, dhe kjo është një gjë shumë pozitive. Ligji përcakton 50 me 50, por pastaj janë përfaqësime të tjera të cilat në këshillat e bashkive janë të domosdoshme, ose janë të rëndësishme.

Këtu janë marrë për bazë propozimet e degëve, sepse kjo kryesi thashë po i formalizon ato. Janë shmangur, nuk do të ketë në këshilla nga selia qendrore, në mënyrë që t’i qëndrojmë atij parimi të drejtë, të shpërndarjes së detyrave./tvklan.al