Kryetari i PD, Sali Berisha mori pjesë në Kongresin e Partive Popullore Europiane që mbahet në Valencia të Spanjës. Kryedemokrati gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor krimin për të siguruar vota në zgjedhjet e 11 majit.
“Më 11 maj do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Në këto zgjedhje, përveç të gjitha atyre që përmenda më sipër, ai ka bllokuar debatet televizive, ka shpërndarë 100 euro si dhuratë për vota për 800,000 pensionistë, dhe ka dhënë 100 licenca për kultivim kanabisi me moton “Kanabis për Vota”. Ai e ka kthyer narkoshtetin e tij në një makineri zgjedhore. Siç kanë vërejtur edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, përmes një industrie mafioze të blerjes së votës dhe një makinerie masive intimidimi, ai ka vënë nën kontroll të plotë vullnetin e qytetarëve dhe ka kthyer zgjedhjet në një fasadë”.
Theksoi se kreu i qeverisë përdor drejtësinë për të goditur opozitën.
“Në vit elektoral, ai zgjodhi të arrestojë tre liderë të partive kryesore të opozitës, vetëm sepse ishin kundërshtarë politikë dhe pa asnjë, asnjë, asnjë provë kriminale. Ai u mori mandatin drejtuesve të opozitës. U mori mandatin kryetarëve të bashkive të opozitës, siç është rasti i Fredi Belerit, i cili sot është eurodeputet, sepse arsyeja e vetme ishte që Beleri nuk pranoi t’i jepte tokën që nuk i përket familjes Rama”.
Teksa akuzon qeverinë “Rama” si bashkëpunëtore të bandave, shprehet Shqipëria është një ndër eksportueset kryesore të krimit në Europë.
“Sipas Eurostat, nga viti 2014 deri në 2023, mbi 1 milionë shqiptarë kanë emigruar në zonën Shengen. Si pasojë, sipas OKB-së, Shqipëria ka sot indeksin më të ulët të lindshmërisë në botë. Përveç kësaj, vendi është një nga eksportuesit kryesorë të krimit në Europë”.
Në Kongresin e Partive Popullore Evropiane, Berisha foli dhe për rastin “Megonigal”
“Diktatori tiranik, narkodiktatori, ka korruptuar shefin e kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, që të punonte kundër opozitës shqiptare. I dha atij 225,000 dollarë, por ju siguroj që nuk ishte i vetmi që u ble kundër opozitës. Dokumente, mijëra dokumente nga vende partnere, provojnë sot se shteti dhe krimi janë një sipërmarrje e përbashkët në vendin tim”.
Berisha u kërkoi ndihmë partive simotra të PD që ta mbështesin për të fituar zgjedhjet më 11 maj.
“Por, në një diktaturë, e vetmja mundësi është të mos dorëzohesh, por të luftosh për ta përmbysur atë. Me ndihmën tuaj, miq të dashur, ju siguroj se Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila përmbysi 32 vite më parë diktaturën më staliniste në Europë, do të përmbysë edhe diktaturën e parë dhe të vetme narkotike në Europë, atë të Edi Ramës”.
Gjatë qëndrimit në Valencia, kryetari i PD u takua me kryeministrin e Greqisë, Kiriakos Mitsotakis, si dhe me Zëvendëspresidentin e PPE, ku fokus të diskutimeve kanë qenë forcimi i marrëdhënieve mes partive të djathta.
Klan News