Në takimin tregtarët në Tregun Artizanal, kryedemokrati Sali Berisha u premtoi investimet që parashikon programi i PD për Krujën. Ai u zotua për mbështetje ndaj biznesit të vogël si dhe ulje të taksave.
“Ju premtoj investimet më serioze me ujësjellësin, në lidhjen me Tiranën, në zonat turistike, të cilat nuk arrihen dot.
Do të ulim çmimin e energjisë në 6 Lekë nga 18 që e paguani sot. Tavani për TVSH do të rritet, nuk do të jetë 100 mijë po do të jetë 180 mijë.”
Brenda 100 ditëve të para të qeverisë së PD, nëse fiton në zgjedhjet e 11 Majit, premton se do të rrisë pagat dhe pensionet.
“Paguhen tre herë më pak se sa duhet të paguheshin po të krahasojmë rritjen e çmimeve.”
Ramën e akuzon për vjedhje të taksave të qytetarëve.
“Aktet që ka kryer ai me të tjerë janë të pashlyeshme dhe ato në fakt përbëjnë një dënim përjetë.”
Një përgjigje ka dhe për kryeministrin i cili në komunikimet e tij me qytetarët në rrjetet sociale shprehet se në vendin tonë nuk vdesin qytetarët për bukë.
“Ka një qëndrim të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve.”
Nuk munguan kritikat e demokratëve për mbështetjen që Berisha i ka dhënë Lulzim Bashës gjatë kohës që ky i fundit drejtonte PD.
Gjatë takimeve nuk munguan dhuratat simbolike me motive kombëtare.
Dhurata që sipas Berishës do të çmend Ramën ishte një buf.
“Simboli i mençurisë, e çmendi Edi Ramën, e çmendi.”
Berisha zhvilloi dhe një takime në një masoneri në Kameras të Fushë-Krujës, ku u zotua për ngritjen e një bordi i cili do të kompensoi biznesit të cilët kanë pësuar humbje për shkak të zhvlerësimit të Euros.
“100 ditët e para do të krijohet një bord, i cili do t’i kompensojë këta zëtorinjë të nderuar, qindarkë për qindarkë për rënie e Euros. Kemi shtyllë të dytë kryesore prodhimin. Sepse prodhimi është rroga, prodhimi është mirëqenie, prodhimi është ekonomi e fortë, prodhimi është e ardhmja.”
Kryetari i PD thotë se për shkak të keqqeverisjes eksportet në vendin tonë gjatë viteve 2023-2024 ranë me 32 përqind.
Klan News