Fundin e Edi Ramës pas 12 vitesh qëndrimi në pushtet Sali Berisha e pret nga diaspora, ndaj dhe 2025-ën e ka pagëzuar si vitin e saj. Të njëjtin mesazh kryedemokrati e dha edhe nga Napoli ku kërkoi votën e emigrantëve të Italisë në 11 maj.
“Edi Rama prite se po vjen, prite diasporën. 11 Maji është dita e saj, është fundi yt”, Berisha.
Përmes projektit për “Shqipërinë Madhështore”, që tha se hartoi gjatë 333 ditëve në arrest shtëpie kryedemokrati synon zhdukjen e varfërisë dhe rishpërndajen e të ardhurave.
“Shqipëria madhështore nuk mund të jetë Shqipëria e dhimbjes, e gjëmës nga uria nga skamja. Tre muajt e parë dekret pas dekreti sa ta zhdukim atë”, tha Berisha.
Por për ta bërë madhështore Shqipërinë, pastrimin e saj e sheh si parakusht të gjithçkaje.
“Pastrimi i shtëpisë është një kusht themelor që Shqipëria të rritet. Pas ligjit për minimumin jetik dhe pagës 500 Euro, ligji i dytë është shpallja e Sorosit nongrata, mbyllja e fondacionit Soros”, tha Berisha.
Jashtë kësaj skeme nuk lë edhe diasporën, për të cilën thotë se ka një paketë joshëse.
“5 vite pas asnjë taksë që do të kthehet të investojë në Shqipëri, jo vetëm kaq klima me miqësore për biznesin se taksa 10% e drejtësisë do jetë taksa kryesore, se energjia me lirë se çdo vend i Europës”, tha Berisha.
Berisha nuk mjaftohet vetëm me largimin e Ramës nga pushteti, por njëherazi premton audit të çdo pasurie që sipas tij i është grabitur në tre mandate qeverisje shqiptarët nga qeveria.
“Të pastrosh shtëpinë do të thotë të bësh një audit të përgjitshëm, një lloj Elon Musk shqiptarët do të gjendet”, tha Berisha.
Pak orë përpara takimit me shqiptarët e Italisë në Napoli, kreu I Partisë Demokratike Sali Berisha u mirëprit edhe nga Kryetari i Komunës së Napolit dhe përfaqësues të biznesit shqiptar në Itali, të cilët i dhuruan dorezën e kampionit botëror të boksit me mbishkrimin e tij, për t’i dhënë “grushtin e fitores” regjimit më 11 maj, si dhe një shampanjë me premtimin që ta hapë pas triumfit në zgjedhje.
Tv Klan