Për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk ka më dyshime se zgjedhjet e 11 majit ishin të manipuluara.
“11 Maji ishte farsë absolute”, tha Berisha.
Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Berisha tha se edhe në të kaluarën në opozitë nuk i ka njohur zgjedhjet, por këtë herë ishte ndryshe.
“Kurrë shteti nuk ka qenë elektoral siç është sot. Në të cilat Edi Rama po blen vota me lekë, me kanabis, prokurime e banditë”, theksoi lideri demokrat.
I pyetur nëse gaboi me listën e kandidatëve për deputetë, Berisha tha se opozita kishte emrat më të mirë.
“I janë servirur Tiranës kësaj here nga Partia Demokratike kandidatë më të mirë në të gjithë ekzistencën e saj. Lista që mbledh vota për persona është lista e hapur”, theksoi kreu i PD-së.
Por a njeh Berisha gabime te vetja e tij?
“Këto zgjedhje nuk njihen. 28 mandate i kanë marrë me Pojën e me krimin”, shprehet Berisha.
Thotë se partive të reja iu bë ftesë për bashkëpunim para zgjedhjeve.
“Se nëse do të kishin ardhur në koalicion Adriatik Lapaj siç ju ofrua, dhe nëse Agron Shehaj vinte në koalicion..Bëra përpjekje e mia”, tha Berisha.
Akuzoi se votat e diaporës u manipuluan nëpërmjet përfshirjes së Postës Shqiptare.
“Janë mbushur nga e para 90% e tyre. Këtu në zyrat e Postës Shqiptare. E ke marrë vesh që ka marrë pjesë edhe Posta Shqiptare, e ka deklaruar edhe vetë Ilirjan Celibashi”, tha Berisha.
Berisha tha se tani opozita ka vetëm një mision.
“Ne po mbrojmë votën para shqiptarëve dhe botës. Nuk njohim zgjedhjet, krijimi i një qeverie teknike, për zgjedhje të lira me kushte shumë të fuqishme. Ne do të bëjmë çdo gjë ta detyrojmë (Edi Ramën)”, përfundoi ai.
Tv Klan