“330 milionë prokurime u fituan me 99 % të fondit limit”

Akti normativ i qeverisë për kompensimin e firmave ndërtuese dhe tenderat e dhëna nga qeveria u bënë objekt i debateve mes mazhorancës dhe opozitës në Parlament.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij akuzoi ekzekutivin për korrupsion me fondet e prokurimit publik.

“Kjo është një vjedhje e hapur. Prej shumë kohësh tenderat fitohen me 99 për qind të fondit limit. Do të jap me 99 për qind tenderin, do më japësh 30 për qind të kësaj shume. Kohët e fundit janë 330 milionë tenderime me 99.9%”.

Ndërsa Kryeministrin Edi Rama e krahasoi me Muamer Gadafin e Libisë, duke iu drejtuar ministreve socialiste: “Të mos ju përdorë asnjëherë Edi Rama për imazhin e tij. Se edhe Gedafi mbante 12 badigarde, por Gedafi Gedaf mbetej. Edhe Rama hajdut ishte dhe hajdut mbetet. Le të marrë jo 14 gra, por 36 dhe ti bëjë ministre përsëri është hajdut, nuk e shpëlani dot ju atë”.

Qëndrimeve të Berishës iu kundërpërgjigj ministrja e Shtetit Elisa Spiropali, e cila hodhi poshtë akuzat për korrupsion, duke shtuar se akti normativ i qeverisë nuk u shërben një grushti biznesmenësh, por 300 kompanive.

“Përmendi këtu Gedafin, po te Gedafi çove djalin e preferuar Sali, e çove te ato lëkundëset. E gjesdisje me flokë të lyera, të kthyera mënjane. S’ka më këtu as Gedaf, as sjellje gedafore. S’ka më sëmundje të tilla këtu, e morët përgjigjen në 2013”.

Berisha iu kërkoi ministreve të mos hedhin firmat e tyre në tenderime dhe paralajmëroi se do të ngrejë padi penale e civile ndaj kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla me akuzat për shpifje ne adresë të tij. Akti normativ i qeverisë për kompensimin e materialeve për firmat e ndërtimit u miratua vetëm me 75 vota pro.

Tv Klan